Këto janë 15 përgjigjet e Valmir Azirit në Pyetësorin R me Resul Sinanin:
Cili është ushqimi që sa herë e ha ta kujton fëmijërinë?
Uhhh. Tërhana.
Çfarë mendon kur e sheh veten në pasqyrë?
Ehhh. Shpesh i them: I miri ti (në kontekst me shaka)… Kur e shohim veten në pasqyrë në kontekst filozofik, asnjëherë nuk e shohim vetveten, pra shohim reflektimin tonë. Dhe si zakonisht, njerëzit të cilët kanë hatërmbetje në veten nuk janë rehat. Sipas filozofisë, ai i cili është rehat me veten (pra në vetmi) e ka arritur nivelin më të lartë të vetëdijes. Dhe unë, si zakonisht, e kam tejkaluar atë fazë të jetës dhe jam rehat me veten, nuk kam ndonjë dialog shumë të rëndë për ta shprehur.
Cila është kafsha nga e cila frikësohesh më së shumti?
Njeriu. Atë çfarë mund të bëjë njeriu për njeriun, nuk e bën kafsha për kafshën. Këtë e kam të sprovuar në jetë.
Pse mendon se vuajnë njerëzit e drejtë?
…Sepse njerëzit e tjerë të drejt nuk bëjnë as lëvizjen më të vogël për ta luftuar errësirën, dhe kjo mjafton që errësira të predominojë dritën.
Po të kishit mundësinë që ta zgjedhni vetëm njërën, cilën: logjikën apo emocionin?
Logjikën. Emocioni është pjesë e veprimit tonë logjik. Mënyra se si i përceptojmë gjërat në kontekst logjik e krijon edhe emocionin.
Cili është vendi ku mendja jote e gjen qetësinë?
Qetësinë e gjej kur jam në male. Rrallë dal, por atje e gjej qetësinë.
Filmi apo Serial?
Film. Tema trajtohet më shpejt, konsumohet më shpejt. Në kohën e tashme nuk kemi shumë mundësi për të ndarë orë të mjaftueshme për të ndjekur serialet… edhe ideja që ndonjëherë serialet, jo çdo herë, i kemi të gjitha episodet në një vend (pra duhet të presim javë), hiqet interesi dhe bie intensiteti.
Aroma e preferuar?
Jorgovani dhe busoleku. Gjyshja, zakonisht, mbillte edhe jorgovanin edhe busolekët, dhe me furkën e vet duke tjerrë leshin, i binte me dorë busolekës që të lëshonte sa më shumë aromë. Gjithë bashqes, aq sa ishte 30-40 metra katrorë, i vinte era jorgovan dhe busolek, dhe ajo më ka mbetur në mendje si erë e preferuar.
Nëse do të duhej patjetër: Udhëtim drejt së ardhmes apo të shkuarës?
Të kaluarën thuhet se nuk e ndryshon as Zoti, kështu që më mirë të pretendojmë diçka të ndryshojmë për të ardhmen. Duke u bazuar që e kaluara më nuk ekziston dhe as e ardhmja në njëfarë forme nuk ekziston, pra është “momenti” ai që e jetojmë dhe marrim veprime të cilat e determinojnë në njëfarë forme të ardhmen. Unë mendoj që duhet të fokusohemi më shumë në të ardhmen, sepse ngelja në të kaluarën ka pasoja shumë të rënda.
Nëse në këtë moment të jetës (që je tani), takon dikë që po ndihet krejtësisht siç po ndihesh TI, çfarë do t’i thoje?
Ka një thënie të Winston Churchill që e kam si motiv jete. Pra, kur ballafaqohem me momente ku të sprovohet (si thonë) edhe besimi, thotë: “Nëse je duke ecur nëpër ferr, vazhdo të ecësh”… Kjo është thënia që ia them çdo njeriut… Ne të cilët kemi fëmijë që përjetojnë sprova, jemi si një lloj komuniteti i heshtur – takohemi, bashkëbisedojmë, i shkruajmë njëri-tjetrit mesazhe për t’i dhënë kurajo. Çdo herë e them këtë: “keep going” (vazhdo).
Qentë apo macet?
Macet. Kam pasur mace edhe të mijat. E shfrytëzoj rastin publikisht të them që nusja është bërë sebep për t’i larguar… Por macet do t’i kisha zgjedhur çdo herë!
Cila është një ves, të cilin do ta hiqje përgjithmonë nga jeta jote?
Naivitetin (hahaha). Ndonjëherë, në disa situata, jam sjellë shumë naiv, por që më ka dalë për mirë. Jo që unë kam qenë ai që e ka sjellë punën deri aty që të më del për mirë, por rrethanat.
Ëndrra më e çuditshme që e ke parë?
Tentoj ëndrrat t’i harroj, pasi që ëndrrat e mia jo çdo herë janë të këndshme. Dihet, truri ripërpunon dhe në momentet e rigjenerimit të vet na sjell ato emocione që ne tentojmë t’i ndrydhim dhe janë ëndrra të përditshme (për tema të përditshme), por nuk kam ndonjë ëndërr specifike që do e kisha ndarë.
Nëse do të dëgjoje vetëm një këngë për gjithë pjesën tjetër të jetës, cila do të ishte ajo këngë?
A bën me i zgjedh dy? (hahaha)… Unë nuk e di ku është ai grup sot… Kam një këngë që e kam dëgjuar në rininë time. Kam qenë udhëheqës emisionesh në rininë time (në vitet e ’90-ta) dhe është grupi 7me7, kënga “Qielli”… Ndërsa, kënga e dytë është “Kashmir” nga Led Zeppelin… është beyond time.
Çfarë jam duke e menduar unë tani?
O si ta heqë qafe Valmirin? (hahaha)
Për ta dëgjuar (shikuar) Pyetësorin R mund të klikoni në linkun e mëposhtëm (duke filluar nga minuta 37:10):






