Ish-banorja e “Big Brother VIP 4”, Valbona Mhilli, ka ndarë me ndjekësit e saj një lajm të dhimbshëm. Moderatorja ka humbur gjyshen e saj të dashur, duke shprehur me emocion pikëllimin e thellë për ndarjen nga jeta të njeriut që kishte një vend të veçantë në zemrën e saj.
Në një postim prekës në “Instastory”, Valbona publikoi një fotografi ku gjyshja shfaqet në krevat, ndërsa pranë saj qëndron bashkëshorti një imazh që ajo e përshkroi si simbol të dashurisë së vërtetë.
“ Nuk kam besuar te dashuria, por ju të dy, gjyshi e ti nana, ishit shembulli im që dashuria e vërtetë ekziston dhe nuk vdes kurrë. Sot zemra na u thye sërish… Gjyshi mbeti vetëm, i pikëlluar dhe me shpirt të lodhur, sepse ti ishe jeta e tij, drita e çdo dite,” shkroi ajo me dhimbje.
Valbona shtoi se ngushëllimi i vetëm për humbjen është fakti që tani gjyshja është bashkuar me babain e saj, duke gjetur paqe përtej kësaj bote.
Moderatorja përmbylli mesazhin e saj me fjalë që prekin çdo zemër: “Ne mbetëm këtu me lot, mall e kujtime që nuk shuhen kurrë. Dashuria juaj do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona.”
Postimi i saj ka prekur ndjekësit dhe miqtë, të cilët kanë shprehur ngushëllimet dhe mbështetjen për Valbonën në këtë moment të vështirë.








