Ushtria izraelite ka njoftuar të mërkurën se një nga trupat e dorëzuar nga Hamasi të martën në mbrëmje “nuk përputhet me asnjë nga pengjet”.
Sipas ushtrisë, konstatimi është bërë pas ekzaminimeve në Institutin Kombëtar të Mjekësisë Ligjore. “Hamasi është i detyruar të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të kthyer pengjet e vdekura”, është theksuar në njoftim.
Grupi militant palestinez kishte kthyer të hënën 20 pengjet e gjalla dhe trupat e katër të vdekurve. Të martën, njoftoi ushtria izraelite, Hamasi ktheu edhe katër trupa të tjerë, pas presionit nga Izraeli se nëse nuk do t’i kthente ato, do të ndalohej hyrja e ndihmave humanitare në Gazë.
Në total, janë 28 pengje që kanë vdekur gjatë robërisë, që nga marrja e tyre nga Hamasi gjatë një sulmi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023.