Kriza humanitare në Rripin e Gazës po rëndohet çdo ditë, teksa shifrat e viktimave vazhdojnë të rriten. Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 28 fëmijë po humbin jetën çdo ditë për shkak të bombardimeve izraelite dhe kufizimeve në shpërndarjen e ndihmave humanitare.
“Vdekje nga bombardimet. Vdekje nga kequshqyerja dhe uria. Vdekje nga mungesa e ndihmës dhe shërbimeve jetësore”, tha Fondi i OKB-së për Fëmijë (UNICEF) në një postim në X të martën, raporton Telegrafi duke cituar mediat e huaja. Agjencia theksoi se fëmijët në Gaza kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë të pastër, ilaçe dhe mbrojtje, duke shtuar: “Më shumë se çdo gjë tjetër, ata kanë nevojë për një armëpushim, TANI”.
Sipas Al Jazeera, që nga fillimi i ofensivës izraelite, më shumë se 18 mijë fëmijë janë vrarë – që do të thotë një fëmijë çdo orë.
Në total, të paktën 60,933 palestinezë janë vrarë dhe 150,027 të tjerë janë plagosur që nga 7 tetori 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin jugor. Vetëm në 24 orët e fundit, të paktën tetë persona, përfshirë një fëmijë, kanë vdekur nga uria në Gaza. Deri tani, 188 persona, mes tyre 94 fëmijë, kanë humbur jetën nga uria, ndërsa Izraeli vazhdon të bllokojë ndihmat dhe të sulmojë kërkuesit e ndihmave, shkruan Al Jazeera.
“Për ata që mbijetojnë, fëmijëria është zëvendësuar nga një luftë e përditshme për gjërat elementare të jetës”, tha gazetari i Al Jazeerës, Aksel Zaimoviq.
Ndërkohë, realiteti tronditës pasqyrohet edhe nga rrëfimi i Kadim Khufu Basim, një fëmijë palestinez i zhvendosur, i cili tregon se është i detyruar të punojë për të mbajtur familjen pasi babai i tij është i plagosur dhe po trajtohet në Egjipt.
“Më pëlqen të luaj futboll. Por tani shes biskota. Fëmijëria ime ka ikur. Që kur filloi lufta, nuk na ka mbetur më fëmijëri”, tha Basim për Al Jazeerën.
Sipas ligjit ndërkombëtar, fëmijët duhet të mbrohen nga efektet e luftës. Por në Gaza, siç thekson Zaimoviq, ndodh e kundërta: “Shkollat janë shënjestruar qëllimisht, objektet e ujit janë shkatërruar, furnizimet me ushqim janë bllokuar sistematikisht. Dhe të drejtat themelore të fëmijërisë… arsimi, loja, ushqyerja e duhur… janë përdorur si armë kundër një brezi të tërë”.