UEFA ka konfirmuar edhe një herë besimin ndaj arbitrave nga Kosova, duke deleguar dy ekipe gjyqtarësh për ndeshjet e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Njëri nga delegimet i është besuar gjyqtarit me stemën e FIFA-s, Mervan Bejtullahu, i cili do të ndajë drejtësinë në përballjen mes Ilves dhe Stjarnan. Takimi do të zhvillohet më 30 korrik në stadiumin “Tammelan Stadion” në Tampere, me fillim nga ora 18:00.
Bejtullahu do të ketë në krah asistentët Edmond Zeqiri dhe Bashkim Hyseni, ndërsa rolin e gjyqtarit të katërt do ta kryejë Alban Shala.
Ndërkohë, një tjetër delegim i rëndësishëm i është besuar edhe gjyqtarit ndërkombëtar Genc Nuza, i cili do të drejtojë ndeshjen ndërmjet Gent dhe LNZ Cherkasy. Kjo sfidë do të luhet më 30 korrik në “KAA Gent Arena”, me fillim nga ora 20:30.
Nuza do të ndihmohet nga asistentët Fatmir Sekiraqa dhe Pashtrik Burrniku, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Erdall Zasella.
Federata e Futbollit e Kosovës e ka cilësuar këtë si një tjetër vlerësim të rëndësishëm nga UEFA për arbitrat kosovarë. Sipas FFK-së, delegimet dëshmojnë besimin e vazhdueshëm të shtëpisë evropiane të futbollit në profesionalizmin, përgatitjen dhe standardin e lartë që gjyqtarët e Kosovës po shfaqin në arenën ndërkombëtare.





