Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka miratuar dy ndryshime të rëndësishme në rregulloren e saj, të cilat do të hyjnë në fuqi me nisjen e sezonit të ri dhe do të zbatohen në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.
Një nga risitë kryesore lidhet me kartonët e verdhë. Sipas rregullores së re, lojtarët nuk do të pezullohen më pas tre kartonëve të verdhë, por vetëm pasi të grumbullojnë katër të tillë gjatë fazës së ligës. Ky ndryshim synon të ulë numrin e pezullimeve dhe t’u japë skuadrave më shumë stabilitet gjatë garës.
Pas pezullimit të parë, çdo ndëshkim i radhës do të vijë pas çdo dy kartonëve të tjerë të verdhë, pra me kartonin e gjashtë, të tetë dhe kështu me radhë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ka të bëjë me tabelat elektronike të stadiumeve. UEFA ka hequr rregullin që parashikonte ndalimin e orës në minutën e 45-të dhe të 90-të. Duke filluar nga ky sezon, koha do të vazhdojë të ecë edhe gjatë minutave shtesë të akorduara nga gjyqtari, si në fund të pjesës së parë ashtu edhe në fund të ndeshjes, përfshirë edhe kohën shtesë.
Me këtë vendim, UEFA harmonizon rregulloren e saj me modelin që është zbatuar prej dy sezonesh në Premier League.
Këto ndryshime vijnë në një moment të tensionuar në marrëdhëniet mes UEFA-s dhe FIFA-s. Së fundmi, të 55 federatat anëtare të UEFA-s votuan unanimisht kundër planeve të FIFA-s për t’ua kaluar investitorëve privatë të drejtat tregtare dhe të menaxhimit të disa garave.
UEFA i ka cilësuar këto propozime si të papranueshme dhe ka kërkuar pezullimin e plotë të tyre, duke argumentuar se cenojnë mënyrën e administrimit të futbollit evropian.





