Aleksandar Vuçiq po përpiqet në vazhdimësi të përfitojë edhe nga Shtetet e Bashkuara, edhe nga Rusia, thotë eksperti i sigurisë, Avni Islami, derisa flet për vizitën që presidenti serb po zhvillon në Moskë.
Vuçiq do të marrë pjesë në Paradën e Fitores në Sheshin e Kuq më 9 maj, pavarësisht kundërshtimit të Bashkimit Evropian.
Komisionarja për Zgjerim e bllokut, Marta Kos tha ditë më parë se nëse Vuçiq shkon në Moskë, ajo do ta ketë shumë më të vështirë t’i ndihmojë Serbisë të qëndrojë e përkushtuar në rrugën evropiane.
Më 9 maj, Rusia shënon 80-vjetorin e fitores kundër fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.
“Duke ditur që Aleksandër Vuçiq në kohën e Millosheviq ishte zëdhënës i propagandës dhe informacionit, ai edhe pse sot është president i Serbisë, ende jeton me të kaluarën dhe përpiqet që përmes propagandës dhe gënjeshtarëve të tij të arrijë sukseset e tij. U pa që mediat, të cilat janë nën kontroll të tij në Serbi, e proklamuan se presidenti Vuçiq do të takohet me Donald Trump në Amerikë dhe se e tëra kjo ishte lojë. Kjo tregon se ai është i pasinqertë dhe kjo tregon se në SHBA nuk është pritur një lojë e tillë e tij, sepse në fakt ai nuk ishte i sëmurë. Biseda ose takimi me Donald Trump do t’i shërbente si trampolinë që ai të shkojë drejt Moskës, ku do të merr pjesë së bashku me presidentin Putin në një paradë atje. Kjo tregon se ky përpiqet në vazhdimësi të përfitojë nga Lindja dhe Perëndimi, nga Rusia dhe SHBA-ja”, potencon Islami.
Përveç tjerash, profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami thotë se Vuçiq po përpiqet përmes shtetit serb ta luajë rolin e ndërmjetësuesit mes SHBA-së dhe Rusisë.
“Matematikat e fuqive të mëdha janë të mëdha. Pa dyshim që ky (Vuçiq) është dashur që të ndëshkohet. Duhet theksuar edhe një fakt, se ky përpiqet që përmes shtetit serb ta luajë një rol si një lloj ndërmjetësuesi në mes SHBA-së dhe Rusisë. Por, faktikisht amerikanët dhe rusët nuk janë të interesuar për ndërmjetësues, sepse ata flasin dhe bisedojnë në mënyrë diplomatike me diplomatë e vet”, thotë Islami.
Para Moskës, Vuçiq udhëtoi për në Amerikë dhe kishte planifikuar të takohej me zyrtarë të lartë të Partisë Republikane, si dhe me presidentin amerikan, Donald Trump.
Mediat në Beograd më pas raportuan se Vuçiq u shtrua në Spitalin ushtarak në Beograd.
Ish-diplomati serb Nebojsha Vujoviq, tha se Vuçiq peshkoi veten e tij, pasi mendoi “të bëjë një foto me Trumpin për të zbutur kërcënimin nga Evropa dhe për të shkuar në Moskë”.
Islami ndër të tjera flet edhe për arrestimin e fundit të një personi të dyshuar për spiunazh.
Prokuroria Speciale njoftoi se pas hetimeve disamujore ka arrestuar H.S, i dyshuar për spiunazh. Sipas njoftimit, aksioni dhe arrestimi u zhvillua në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, si dhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Islami thotë për KosovaPress se institucionet e sigurisë në Kosovë kanë prova të mjaftueshme për personin e arrestuar, por edhe për të tjerë që i shërbejnë BIA-s serbe.
“Arrestimi i djeshëm i një të dyshuari ku mendohet se ka prova të mjaftueshme se ishte bashkëpunëtor i BIA-s dhe se në të njëjtën kohë i njëjti kishte qenë në Siri dhe është akuzuar për terrorizëm. Unë besoj se institucionet e sigurisë së Kosovë kanë prova të mjaftueshme jo vetëm për këtë, por edhe për disa të tjerë. Kur merret parasysh që brenda një viti janë arrestuar pesë bashkëpunëtorë ose agjentë të BIA-së, kam theksuar se ky është vetëm fillimi dhe se në Kosovë vlojnë bashkëpunëtorë e agjentë të BIA-së”, thotë Islami./kp