U hap Panairi mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor

Në ditën e parë të Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, u promovua monografia “Veprimtaria shkencore e Bajram Krasniqit” e autorit Hysen Matoshi, raporton Ekonomia Online.

Në fjalën e tij, Matoshi theksoi rëndësinë e veprës së Krasniqit në fushat e albanologjisë, kritikës letrare dhe shkrimit shkencor, duke e cilësuar atë si një ndër figurat më origjinale të dijes shqiptare.

Ai vuri në pah mungesën e ribotimit të veprave të Krasniqit dhe kërkoi mbështetje institucionale për riaktualizimin e tyre, përmes një projekti që është propozuar që nga viti 2011.

“Si autor, nuk më takon të flas shumë për veprën, por mund të them diçka më tepër për subjektin e saj – shkencëtarin, intelektualin dhe personalitetin Bajram Krasniqi, vepra e të cilit është shumëplanëshe dhe me rëndësi parësore në fushën e shkrimit shkencor, historiko-letrar, tipologjik, kritikës letrare, si dhe në sferën e përgjithshme albanologjike dhe publicistike. Me trashëgiminë e tij shkencore dhe intelektuale, Bajram Krasniqi shquhet si një penë origjinale dhe e papërsëritshme e dijes dhe kulturës shqiptare, një vetëdije kritike dhe moderne e kohës së vet. Ai, me ardhjen e tij në skenën akademike, solli vlera specifike, origjinale dhe të pazëvendësueshme për kulturën dhe dijen tonë, ndërsa me ikjen e tij të hershme, la pas një zbrazëti të paplotësueshme”, tha Matoshi.

Ai u ndal tek një aspekt që lidhet me trashëgiminë shkrimore të Bajram Krasniqit, më konkretisht, me raportin që ne si shoqëri, si elitë kulturore dhe institucionale, kemi krijuar ndaj saj.

“Që nga botimi i parë i pesë vëllimeve, që dolën në një hark kohor prej 16 vitesh, veprat e Bajram Krasniqit nuk janë ribotuar asnjëherë, ndonëse nevoja për to ka qenë e madhe – qoftë si literaturë specifike për çështje dhe fenomene historiko-letrare e kritiko-letrare, qoftë si model i studimit dhe i shkrimit shqip. Duke parë këtë gjendje të një lloj “ekskomunikimi të heshtur” të një prej trajtave më të rëndësishme studimore të albanologjisë, Instituti Albanologjik, përmes një projekti të detajuar, i pati propozuar që më 2011 MASHT-it botimin e veprës së Bajram Krasniqit. Megjithatë, përkundër premtimeve, mbështetja institucionale mungoi – edhe pas përsëritjes së kërkesës disa vite më vonë”, tha Matoshi.

Edicioni IV i Panairit mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor që po mbahet në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në Prishtinë, do të qëndrojë i hapur tri ditë, nga 23 deri më 25 prill.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA