Sot, në Turqi do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Votuesit do të zgjedhin midis presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe kandidatit të opozitës Kemal Kılıçdaroğlu për një mandat pesëvjeçar.
Votimi filloi në orën 8:00 të mëngjesit me kohën lokale dhe do të përfundojë në orën 17:00.
Më shumë se 64,1 milionë njerëz janë të regjistruar për të votuar, duke përfshirë edhe ata jashtë vendit. Rreth 1,92 milion shtetas turq kanë votuar tashmë në qendrat e votimit jashtë shtetit, shkruan AA.
Gjithsej 191.885 kuti votimi janë vendosur për votuesit në mbarë vendin.
Balotazhi u caktua pasi asnjëri nga kandidatët, në raundin e parë të mbajtur më 14 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare, nuk arriti të fitojë shumicën ose më shumë se 50 për qind të votave. Megjithatë, Erdoğan kryesoi në raundin e parë me 49,52 për qind.
Aleanca Popullore e Erdoğanit fitoi shumicën në parlamentin prej 600 anëtarësh përballë Aleancës Kombëtare, e cila përbëhet prej gjashtë partish opozitare.