Joshja ndaj eksplorimit të hapësirës mbetet e fuqishme, veçanërisht për një president që kërkon me dëshpërim të lërë një trashëgimi pas vetes.
Nga: Philip Johnston
Përkthimi: ATV
Askund në Tokë nuk ke më shumë siguri për të vënë në perspektivë ankthin modern sesa në Egjipt. Vizita ime e fundit te piramidat e Gizës ishte për t’u mahnitur si nga mrekullia e jashtëzakonshme inxhinierike, ashtu edhe nga lashtësia e tyre. Ne jemi më afër në kohë me Kleopatrën, faraonen e fundit e cila vdiq dy mijë vjet më parë, sesa ajo ishte me Kufunë, ndërtuesin e Piramidës së Madhe – e vetmja e mbijetuar e Shtatë Mrekullive të botës së lashtë. Përmasat e historisë që shfaqen aty janë marramendëse.
Kjo, padyshim, i bën të gjitha manovrat rreth kalimit të Robert Jenrickut te Reform-a, apo edhe përpjekjen e Donald Trumpit për të aneksuar Grenlandën, të duken si një gungë e vogël në rrugën e kohës. Me të vërtetë, nëse presidenti amerikan dëshiron të dijë se si duket me të vërtetë ngritja narcisiste, ai duhet të shkojë në Abu Simbel dhe të shohë statujat kolosale të Ramzesit II të gdhendura në shpatin e malit.
Ka qenë një udhëheqës që dinte si ta projektonte imazhin e tij dhe të manipulonte të vërtetën. Grekët e quajtën atë Ozimandia, dhe në poezinë e tij të madhe me të njëjtin emër, Shelley tall ambiciet e tij grandioze dhe përkohshmërinë e pushtetit. Trumpi është Ozimandia i sotëm, deri te “buzërrudhur dhe ftohtas ngërdheshur”.
Udhëtimi im në tokën antike të Egjiptit përkoi me vdekjen e Erich von Dänikenit, shkrimtarit populist që çoi para teorinë se piramidat u ndërtuan nga jashtëtokësorët. Në librin e tij Karrocat e zotave? [Chariots of the Gods?] ai sugjeroi se qytetërimi njerëzor është produkt i ndërhyrjes së qëllimshme nga jashtëtokësorët.
Teza e tij qendrore ishte se vizitorët “e hapësirës”, në kohët e lashta kishin kryer një “eksperiment shumimi” mbi banorët e Tokës, “derisa më në fund ata prodhuan një krijesë mjaftueshëm inteligjente që t’i barteshin rregullat e shoqërisë”.
Pyetja e tij “A ishte Zoti astronaut?” ushqeu dekada të tëra me teori konspirative të Epokës së Re, të përforcuara më pas nga interneti dhe rrjetet sociale. Ai mund të ekspozohej si diletant dhe mashtrues, por librat e tij vazhduan të pranoheshin nga një audiencë naive për të cilën ishte e pamundur për të besuar se egjiptianët e lashtë ishin në gjendje të bënin monumente të tilla.
Megjithatë, ideja absurde që jashtëtokësorët që zotërojnë mjetet teknologjike për të udhëtuar nëpër kozmos do të linin pas një grumbull gurësh dhe një gjuhë misterioze si provë të pranisë së tyre, nuk dukej se i shqetësonte besimtarët. As fakti që eksplorimi hapësinor është pafundësisht më pak i mundshëm sesa mijëra egjiptianë duke përdorur litarë dhe saja për të tërhequr blloqe masive guri në pozicion në Piramidën e Madhe – pa marrë parasysh se sa e jashtëzakonshme mund të duket ajo përpjekje për ne sot.
Vetëm në fantashkencë është e mundur të udhëtosh te ylli më i afërt. Në vitin 2012, sonda hapësinore Voyager 1 u bë objekti i parë i krijuar nga njeriu që doli nga Sistemi Diellor. Ajo u nis pothuajse 50 vjet më parë; megjithatë, më 15 nëntor të këtij viti do të jetë vetëm një ditë drite larg Tokës. Ylli më i afërt me një planet në orbitë që mund të mbajë jetë është më shumë se katër vjet drite larg.
Pra, do të kalojnë mijëra vjet para se çdo qenie, që mund të ndajë këtë univers me ne, të dëgjojë tingujt e Koncertit të Dytë të Brandenburgut të Bahut ose të përpiqet të gjejë kuptimin e vizatimeve të përfshira në të ashtuquajturin Regjistri i Artë që sonda mban.
Do të kishin menduar se, përballë pamundësisë së udhëtimeve në hapësirë, ne do t’i braktisnim ëndrrat tona dhe do të pranonim se nuk po shkojmë askund. Mbi të gjitha, janë 53 vjet nga ulja e fundit me ekuipazh në Hënë nga Apollo 17, një epokë të cilën ne, në mënyrë tepër optimiste, e pamë si fillimin e Epokës Hapësinore, por doli se ky ishte fundi i saj.
Por, tundimi mbetet i fuqishëm, veçanërisht për dikë që kërkon me dëshpërim të lërë një trashëgimi, pra Donald J. Trump. Para Krishtlindjes, ai lëshoi një urdhër ekzekutiv që udhëzonte NASA-n të çonte një njeri në Hënë deri në vitin 2028 – para se ai të përfundojë mandatet e tij të dytë.
Gjatë fundjavës, raketa e Sistemit të Lëshimit Hapësinor (SLS) dhe kapsula hapësinore Orion u zhvendosën nga Qendra Hapësinore Kenedi e NASA-s në platformën e nisjes. Ishte një kujtim i atyre ditëve të ngazëllyera në fund të viteve ‘60 dhe në fillim të viteve ‘70 të shekullit XX, kur raketat e mëdha Saturn ishin duke u vendosur në pozicion.
Artemisi II është planifikuar të niset muajin e ardhshëm, me katër anëtarë ekuipazhi në bord të cilët drejtohen drejt Hënës, megjithëse jo për të zbritur.
Ajo do të shërbejë, në vend të kësaj, për të vendosur themelet për një ulje hënore nga astronautët me misionin Artemis III, ndoshta vitin e ardhshëm. Pas kësaj, tetë ulje të tjera janë planifikuar për të ngritur një bazë të përhershme në Hënë, për eksperimentim shkencor dhe për t’u përdorur si trampolinë drejt Marsit.
A ka ndonjë kuptim në këtë dhe a mund të përballohet? Qëndrueshmëria e projektit u përmirësua paksa nga zhvillimi i mjeteve të ripërdorshme që çoi Kongresin e ShBA-së, vitin e kaluar, nën Trumpin, të financojë misionet nën një Ligj të madh e të bukur [One Big Beautiful Bill Act]. Por, gjithsesi do të kushtojë me miliarda.
Dhe, megjithëse do të jetë e jashtëzakonshme të shihet një herë tjetër njeriu duke ecur në sipërfaqen e fqinjit tonë më të afërt qiellor, a mund të justifikohet me të vërtetë kjo? Duke u kthyer te programi Apollo, mund të shihet sot si një aventurë e madhe, por ishte thellësisht e papëlqyeshme mes shumë amerikanëve për shkak të kostos.
Ai u motivua po aq nga politika e Luftës së Ftohtë sa edhe nga kërkimi për përparim shkencor. Në vitin 1962, presidenti John F. Kennedy caktoi objektivin për ta çuar njeriun në Hënë deri në fund të dekadës, kryesisht për t’i treguar Bashkimit Sovjetik se Perëndimi kapitalist mund të bënte atë që shteti sklerotik komunist do ta kishte të pamundur për ta arritur. Mbështetja e Trumpit për Artemisin është gjithashtu politike, pasi ai dëshiron të ketë avantazh ndaj Kinës e cila gjithashtu po planifikon misione me ekuipazh, megjithëse jo deri në vitin 2030.
Cilido qoftë arsyetimi – dhe nëse ndoshta do të ishte më mirë të shpenzoheshin paratë për një kurë për Alzheimerin – dëshira për t’u çliruar nga Toka mbetet e fortë. Deri më tani, nuk ka të njëjtin ndjesi entuziazmi rreth Artemisit si ajo që unë e kujtoj në fëmijë me Apollon.
Kur ajo niset muajin e ardhshëm (duke supozuar se kjo ndodh, duke pasur parasysh shumë defekte teknike me anijen hapësinore), presidenti Trump sigurisht do ta shfrytëzojë atë deri në maksimum. Megjithatë, a është një trampolinë drejt yjeve apo thjesht ëndrra e një njeriu mendjemadh? “Shihni ç’bëra! Dhe brenga ju hëngërt”!






