spot_imgspot_img
spot_img

Trumpi dënohet me mbi 83 milionë dollarë për shpifje ndaj Carollit

Një juri gjyqësore në Nju Jork vendosi që ish-Presidenti Donald Trump t’i paguajë 83.3 milionë dollarë shkrimtares E. Jean Carroll, për komente diskretituese ndaj saj, gjatë kohës që ishte president, në vitin 2019.

Carroll paditi Trump për dëmtim reputacioni, duke e quajtur atë gënjeshtare, pasi ajo e akuzoi për përdhunim dekada më parë. Rastin, Carroll e publikoi në një libër me kujtime, në të cilin shkruante se në vitin 1996, Trump e përdhunoi në një dyqan luksoz të qytetit të Nju Jorkut.

Trump i cili ishte i pranishëm në pjesën më të madhe të gjyqit, por jo për të dëgjuar vendimin, njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se do ta apelojë atë.

Në muajin maj të vitit të kaluar një tjetër juri e shpalli Trump fajtor për abuzim seksual dhe e urdhëroi atë të paguante 5 milionë dollarë. Trump e ka apeluar vendimin.

Gjyqi i dytë për shpifje, lidhet me komentet e Trump ndaj Carroll, kur ai ishte president dhe juria do të përcaktonte vetëm sa para do të duhej t’i paguante Trump shkrimtares. Bëhet fjalë për dy deklarata që ai kishte bërë, si përgjigje ndaj pyetjeve të gazetarëve, referuar pjesëve nga libri me kujtime i shkrimtares Carroll.

Ish-presidenti vazhdon të këmbëngulë se akuzat ndaj tij janë të rreme.

Vendimi u dha të premten nga një juri prej 9 anëtarësh, shtatë burra dhe dy gra. Trump mori pjesë rregullisht në seancat e procesit të dytë gjyqësor. Por sot ai u largua papritur nga salla ndërsa avokatja e Carroll po mbante argumentet përfundimtare. Më pas ai u kthye për të dëgjuar argumentet mbyllëse të avokates së tij.

Trump nuk mori pjesë në gjyqin e parë ndaj tij. Më vonë ai shprehu keqardhje dhe këmbënguli të dëshmonte në gjyqin e dytë, por gjykatësi e kufizoi ish-presidentit, duke thënë se ai e kishte humbur rastin për të argumentuar se ishte i pafajshëm.

Të enjten, një ditë para vendimit të jurisë, Trump u ul vetëm për disa minuta në karrigen e dëshmitarit, kohë gjatë së cilës ai mohoi të kishte sulmuar zonjën Carroll, më pas u largua nga gjykata duke thënë: “kjo nuk është Amerika”.

Gjatë argumenteve përmbyllëse avokatja e Carroll, Roberta Kaplan, i kërkoi jurisë që ta ndëshkonte zotit Trump aq sa duhej, në mënyrë që siç tha ajo të ndalej një rrjedhë e vazhdueshme deklaratash publike, që kanë njollosur zonjën Carroll duke e etiketuar atë si gënjeshtare.

Ishte ky momenti që Trump doli nga salla e gjyqit. Po sot gjykatësi i çështjes paralajmëroi se do ta dërgonte në burg avokaten e Trump, Alina Habba, për shkak se ajo vazhdonte të fliste edhe pse ai e kishte njoftuar se koha e saj kishte mbaruar. Avokatja Habba iu bind kërkesën së gjykatësit.

Vendimi i së premtes i jurisë vjen ndërsa Trump po shkon drejt fitores për të tretën herë radhazi në garat paraprake për president. Ai ka kërkuar t’i kthejë proceset ndaj tij në një avantazh, duke i cilësuar ato si dëshmi të një sistemi që po përdoret politikisht kundër tij.

Megjithëse nuk ka asnjë provë që Presidenti Joe Biden ose dikush në Shtëpinë e Bardhë të ketë ndikuar në ndonjë nga rastet ligjore kundër tij, linja e argumentimit të zoti Trump, ka rezonuar me mbështetësit e tij më besnikë, të cilët i shohin proceset me skepticizëm./voa/

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

Aliu: Prania ime e frustron Ramusën

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA