Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi sot se SHBA-të kanë nisur “operacione ushtarake në shkallë të gjerë” në Iran.
“Qëllimi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian”, tha Trump në një video të postuar në rrjetet sociale.
“Ne do të shkatërrojmë raketat e Iranit dhe do të rrafshojmë industrinë e tij të raketave “, siguroi ai, “ne do të eliminojmë marinën e tyre”, shtoi ai.
Presidenti amerikan theksoi se SHBA-të “do të sigurohen që Irani të mos pajiset me armë bërthamore”, duke shpjeguar se Teherani “është përpjekur të rindërtojë programin e tij bërthamor”.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi se SHBA-të kanë marrë çdo masë të mundshme për të kufizuar rreziqet për personelin amerikan në rajon, por paralajmëroi se “jeta e heronjve të guximshëm amerikanë mund të humbasë dhe ne mund të pësojmë viktima, siç ndodh shpesh në luftë. Por ne nuk po e bëjmë këtë për të tashmen. Ne po e bëjmë këtë për të ardhmen dhe është një mision fisnik”.
Për më tepër, presidenti amerikan la të kuptohej se qëllimi i sulmeve kundër Iranit është përmbysja e regjimit, duke i thënë popullit iranian se “koha e lirisë suaj është afër”.
“Anëtarëve të Gardës Revolucionare, forcave të armatosura dhe të gjithë policisë: Ju them sonte se duhet të dorëzoni armët tuaja në mënyrë që të keni amnisti të plotë. Alternativa është të përballeni me vdekjen e sigurt”, paralajmëroi ai.
“Dorëzoni armët. Do të trajtoheni në mënyrë të drejtë dhe me humanizëm të plotë, ose do të përballeni me vdekjen e sigurt”, tha ai.
“Popullit të madh dhe krenar të Iranit, sonte u them se koha juaj e lirisë është afër. Qëndroni në vende të sigurta. Mos i lini shtëpitë tuaja. Jashtë është shumë e rrezikshme. Bombat do të bien kudo”, vazhdoi Trump.
“Kur të mbarojmë, merrni qeverinë tuaj. Do të jetë e juaja ta merrni përsipër. Ky mund të jetë shansi i vetëm që do të keni për breza të tërë”, theksoi ai.






