Përgatiti: Armand Hoti
Njësia kryesore e ndërmarrjes “Trepça”, po e mbyll marsin me zero prodhim të koncentratit të plumbit dhe zinkut.
Humbjet nga ndërprerja e prodhimit, sipas kryeshefit të ndërmarrjes, Bashkim Kurti, kapin një vlerë prej diku 1 milion eurove.
“Është fitim i humbur, realisht diku një milion është humbja, në ditë i bie rreth 30 e ca mijë, apo 40 mijë euro humbje”, ka thënë Kurti.
Puna në horizontet e Stan Tërgut u ndërpre për shkak të mungesës së furnizimit me eksploziv për thuajse tërë muajin.
As flotacioni, ku xehja shndërrohet në koncentrat, nuk qe furnizuar me reagencat e nevojshme.
Kryeshefi Kurti thotë se furnizimi me lëndë shpërthyese e reagenca mund të bëhet në javën që vjen.
“Për eksploziv e dijmë që nuk kemi, por me fillim të javës së ardhshme na kanë premtuar se do furnizohemi. Reagenca diçka kemi marrë, ndërsa të martën apo të mërkurën pritet të nënshkruhet kontrata”, ka thënë Kurti.
Profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi, thotë se humbja e 1 milionshit do ta shtojë nevojën për intervenimin e Qeverisë në ndërmarrje.
“1 milion euro mungesë të hyrave do të ketë pasoja jo vetëm mospagesën e detyrimeve të së kaluarës, punëtorët i kanë kontratat dhe ndërmarrja ka detyrim t’i paguaj pagat. Kjo do krijoj një gjendje ku Qeveria do duhet që sërish t’i subvencionoj pagat”, tha Qerimi.
Sipas Qerimit, menaxhmentit dhe Qeverisë i duhet një plan i ri.
“Do duhej që Qeveria të ulet bashkë me menaxhmentin, të krijoj një plan të qëndrueshëm të likuiditetit…dhe bashkë me menaxhmentit të prioritizojë pagesat të cilat pa tjetër duhet të kryhen”, tha Qerimi.
Borgjet e ndërmarrjes ndaj furnitorëve kapin një vlerë prej rreth 6 milion eurove.
Burime brenda ndërmarrjes, i thanë ATV-së, se nga miniera më e madhe e gjigantit metalurgjik, këtë muaj u eksploatuan vetëm rreth 800 tonë xehe, nga rreth 13 mijë sa ishin planifikuar.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: