Nga zona industriale në drejtim të Fushë Kosovës, tregu i veturave pritet të zhvendoset në Bërnicë të Poshtme, ku hapësira e re do të shërbejë edhe për disa funksione të tjera të kryeqytetit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se krahas tregut të veturave, aty do të organizohet përkohësisht edhe tregu i druve, ndërsa në këtë zonë do të zhvendoset edhe poligoni i auto-shkollave.
Rama bëri të ditur se hapësira do të shfrytëzohet edhe si “Park and Ride”, gjatë ditëve kur nuk zhvillohet tregu, duke u mundësuar qytetarëve që vijnë nga zona dhe fshatrat përreth të parkojnë automjetet dhe të vazhdojnë udhëtimin me transportin urban.
“Janë këto katër elemente të cilat me këtë hapësirë këtu na i lehtësojnë proceset në kryeqytet”, tha Rama.
Menaxhimi i hapësirës do të bëhet nga kompania publike “Gjelbër”.





