Tre persona kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur pasi një shoferë 92-vjeçare u përplas me një çiklist, humbi kontrollin e automjetit dhe u fut me veturë në një dyqan ushqimor të enjten, në lagjen Westwood të Los Angelosit.
Gruaja që drejtonte një Toyota Prius goditi çiklistin dhe më pas vazhdoi të ngiste edhe një bllok tjetër, përpara se të kthente drejt një furre buke brenda dyqanit 99 Ranch Market, ku automjeti u ndal.
Kapiteni i Policisë së Los Angelosit, Anthony Espinoza, e përshkroi ngjarjen si një “aksident fatkeq” dhe tha se nuk besohet të ketë qenë e qëllimshme.
Dy burra, të moshave 30 dhe 55 vjeç, si dhe një grua 42-vjeçare, të cilët ndodheshin në atë moment në furrë, vdiqën në vendngjarje. Dy burra të tjerë, 35 vjeç, u dërguan në spital në gjendje kritike, ndërsa dy burra të tjerë, 38 dhe 37 vjeç, ishin në gjendje të qëndrueshme.
Çiklisti dhe shoferja refuzuan ofertën për t’u transportuar në spital, njoftoi departamenti i zjarrfikësve.
Zyrtarët thanë se ajo po bashkëpunon me hetuesit dhe se i është nënshtruar një vlerësimi mjekësor. /Telegrafi/






