Kris Jenner ka bërë një ndryshim të madh në pamje, dhe interneti po çmendet pas saj. Pasi la pas prerjen e saj ikonike me flokë të zinj të shkurtër, 69-vjeçarja është shfaqur me një stil të ri – por ajo që ka habitur më shumë është ngjashmëria e saj e madhe me këngëtaren shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha.
Disa përdorues madje nuk ishin të sigurt nëse po shikonin Kris Jenner apo vajzën e saj, Kim Kardashian.
Krahasimet nisën pasi Jenner u shfaq në një video të publikuar nga stilisti i famshëm i flokëve, Chris Appleton.
Në klip, ajo shihet pa grim, ulur në një sallon me një peshqir në kokë, duke imituar tekstet e këngës virale të Sabrina Carpenter “When Did You Get Hot?”, përpara se të zbulojë prerjen e re me flokë bjonde platin të drejta e të shkurtuara.
“Kris po kthehet në Kim dhe Kim po kthehet në Kris!”, ka shkruar me humor një komentues, ndërsa një tjetër shtoi: “Janë si në ‘Freaky Friday!’”. Një përdorues tjetër u shpreh i hutuar: “Kush është kjo? Kris? Kim?”
Reagimet nuk u ndalën me kaq. “Ajo padyshim ka vizituar kirurgun e Lindsay Lohan! Ky ‘facelift’ i dytë i ka dalë për mrekulli,” – shkroi një tjetër ndjekës, duke iu referuar ndërhyrjes së fundit estetike të Jenner. Një tjetër komentonte me shaka: “A mund të na tregojë ku e mban ‘burimin e rinisë’?”
Pamja e re nuk ishte një ndryshim i rastësishëm. Jenner e zbuloi look-un e saj bjonde gjatë ngjarjes “Mission to Glam” të Shark Beauty, që u mbajt në CUT Lounge në Beverly Hills. Në përshkrimin e postimit ajo shkroi: “Kishim një moment të vogël bjonde sonte – shumë argëtues!”
Në skenë, Jenner u shpreh: “E mbajta atë prerje të zezë për kaq shumë vite, më kishte ardhur në majë të hundës. Jam e sigurt që edhe fëmijët e mi janë të lumtur që guxova për diçka ndryshe.” Megjithatë, ajo pranoi se pamja e re nuk do të zgjasë shumë: “E dini si jam unë… nesër do jem përsëri me flokë të zinj”.
Kjo nuk është hera e parë që Jenner eksperimenton me flokët bjonde — në vitin 2018 ajo e provoi shkurtimisht këtë stil — por fansat pajtohen se kësaj here duket si një ri-inventim total. Ngjyra e akullt dhe prerja moderne i kanë bërë shumë njerëz të mendojnë se ajo ngjan më shumë me Bebe Rexhën se me vetveten.
“Uhhh, ajo duket mahnitëse!” – ka komentuar grimierja Ash K. Holm, e cila ka ndihmuar në krijimin e pamjes, ndërsa Paris Hilton shtoi thjesht: “That’s hot”.
Jenner nuk ka reaguar ndaj krahasimeve me Bebe Rexhën, por ajo është gjithmonë e hapur për ndërhyrjet estetike. Në një intervistë për Vogue Arabia në shtator, ajo ka zbuluar se ka bërë facelift-in e saj të dytë këtë vit. “E kisha bërë një para 15 vitesh, kështu që ishte koha për një freskim” – ka treguar ajo. “Dua të jem versioni më i mirë i vetes sime, dhe kjo më bën të lumtur”.
“Vetëm sepse plakesh, nuk do të thotë që duhet të dorëzohesh ndaj vetes,” – ka shtuar Jenner. “Nëse ndihesh mirë në lëkurën tënde dhe dëshiron të plakesh natyrshëm – mos bëj asgjë. Por për mua, kjo është mënyra ime për t’u plakur me hijeshi”.
Ajo ka pranuar më herët përdorimin e Botox-it, rritjen e gjoksit, ndërhyrjen në qafë (të transmetuar në “Keeping Up With the Kardashians”) dhe facelift-in e parë. “Nuk duhet ta bësh një gjë vetëm sepse dikush tjetër të shtyn ta bësh — dhe gjithmonë duhet të hulumtosh mirë para se të zgjedhësh kirurgun” – kishte theksuar Jenner më parë. /Telegrafi/