Trajneri i Rayo Vallecanos, Iñigo Pérez, e ka cilësuar ndeshjen ndaj Dritës së Gjilanit si “jetike” për sigurimin e kalimit në fazën e 1/8-ës së finales në Ligën e Konferencës, duke theksuar rëndësinë e madhe që ka kjo përballje për ekipin madrilen.
Rayo Vallecano e pret Dritën sonte nga ora 21:00 në stadiumin “Vallecas”, me synimin për të siguruar kualifikimin direkt, objektiv që mund të arrihet me një fitore. Kështu shkruan edhe e përditshmja e madhe spanjolle Marca, e cila e cilëson ndeshjen si vendimtare për fatin e grupit.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme, kyçe dhe jetike. Një fitore do t’i bënte gjërat më të lehta për ne, por duhet të përqendrohemi te loja dhe te marrja e tri pikëve”, deklaroi Pérez në konferencën për shtyp para ndeshjes.
Media spanjolle i ka kushtuar vëmendje edhe kundërshtarit, duke e përshkruar Dritën si një skuadër që synon të bëjë surprizë në Vallecas dhe të sigurojë një vend në mesin e 16 skuadrave më të mira të garës.
“Ata janë shumë energjikë si në fazën sulmuese, ashtu edhe në atë mbrojtëse. Është një ekip që lëviz shumë, e pushton zonën shpejt me disa lojtarë dhe është shumë i përgatitur fizikisht. Kjo na detyron të jemi maksimalisht të organizuar”, theksoi trajneri i Rayo Vallecanos.
Përballja pritet të jetë e luftuar, me të dyja skuadrat që kërkojnë një rezultat pozitiv për të vazhduar rrugëtimin evropian. /ATVLIVE.TV






