Tragjedia hekurudhore në Spanjë, shtyhen 24 ndeshjet e Kupës së Mbretit

Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka vendosur të shtyjë të gjitha 24 ndeshjet e raundit të parë të Kupës së Mbretit, të cilat ishin planifikuar të zhvilloheshin këtë të mërkurë, pas një aksidenti të rëndë hekurudhor në Spanjë, ku humbën jetën dhjetëra persona.
Vendimi u mor pas përplasjes së dy trenave me shpejtësi të lartë pranë Urdës, në provincën e Toledos, një ngjarje tragjike që ka tronditur vendin.
Reklamë
Përmes një njoftimi zyrtar, RFEF konfirmoi shtyrjen e të gjitha takimeve të planifikuara, ndërsa datat e reja të zhvillimit të tyre ende nuk janë bërë të ditura. Federata pritet të publikojë kalendarin e ri në ditët në vijim.
Në mesin e ndeshjeve të shtyra janë edhe ato të Valencias në Tavernes de la Valldigna, Real Betisit në Navalcarnero, Celtas në Salamanca, Mallorcës në Alcoyano dhe Levantes në Tarancón.
Aksidenti ndodhi në linjën hekurudhore me shpejtësi të lartë që lidh Madridin me Andaluzinë, duke shkaktuar ndërprerjen e trafikut hekurudhor mes dy pjesëve të Spanjës.
Pasojat e aksidentit janë ndier edhe në sportet e tjera. Ndeshja e hendbollit për Kupën e Mbretit mes Anaitasunës dhe Proin Sevillas është shtyrë, pasi lojtarët e skuadrës nga Sevilla nuk arritën të udhëtonin drejt Pamplonës.
Sipas të dhënave të fundit zyrtare të autoriteteve spanjolle, të paktën 40 persona kanë humbur jetën në këtë aksident, ndërsa ekziston frika se numri i viktimave mund të rritet, pasi që në të dy trenat udhëtonin gjithsej 544 pasagjerë.
Reklamë









