Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Billings në Montana të SHBA-së, ku një 44-vjeçar dyshohet se vrau tetë anëtarë të familjes së tij, përfshirë katër fëmijë, dhe më pas i vuri flakën shtëpisë.
Policia kishte marrë një njoftim për të shtëna dhe, pas mbërritjes në vendngjarje, dëgjoi të shtëna që vinin nga pjesa e pasme e banesës. Pak më vonë, shtëpia u përfshi nga zjarri.
I dyshuari, Alan Smith, kishte jetuar me prindërit e tij në këtë banesë, por familjarët thanë se ata i kishin kërkuar të largohej disa javë më parë. Sipas raportimeve, ai ishte kthyer të dielën, në kohën kur familja ishte mbledhur për darkën e përjavshme.
Mes viktimave ishin prindërit e Smith, gjyshja, motra e tij, si dhe Megan Ghekiere dhe katër fëmijët e saj.
Viktimat i përkisnin katër brezave të së njëjtës familje. Më e moshuara ishte një stërgjyshe në të 90-at, ndërsa viktima më e re ishte një vajzë vetëm shtatëvjeçare.
Sipas autoriteteve, Smith kishte qëlluar edhe veten. Zjarri e kishte shkatërruar plotësisht banesën, duke vështirësuar punën e hetuesve.
Viktimat janë identifikuar si Oëen Ireland, 13 vjeç, Chloe Ireland, 7 vjeç, Landon Ghekiere, 15 vjeç dhe Charlotte Ghekiere, 12 vjeç.
Familjarët e kanë përshkruar Charlotte si heroinë, pasi ajo kishte telefonuar 911 dhe ishte përpjekur të kërkonte ndihmë për familjen e saj.
Familja kishte origjinën nga zona e Seattle-it dhe ishte zhvendosur në Montana disa vite më parë. Sipas të afërmve, Smith ishte person i izoluar dhe kalonte pjesën më të madhe të kohës në dhomën e tij përpara kompjuterit.
Një nga familjarët, Brad Ireland, tha se kishte pasur shenja paralajmëruese dhe shqetësime për sjelljen e Smith, por sipas tij askush nuk kishte ndërhyrë.
Adam Ghekiere, bashkëshorti i Megan Ghekiere, ndodhej në punë kur ndodhi sulmi. Ai e mësoi lajmin përmes radios dhe u përpoq të kontaktonte me familjarët.
Kur mbërriti në shtëpi, ajo tashmë ishte përfshirë nga flakët. Dy orë më vonë, ai mori konfirmimin se gruaja dhe fëmijët e tij kishin humbur jetën.
Ai tregoi se vajza e tij Charlotte kishte telefonuar 911 nga brenda banesës.
“E dëgjoj vazhdimisht duke përsëritur frazën që thoshte çdo herë: ‘Të dua’, dhe ajo përgjigjej: ‘Të dua më shumë’”, rrëfeu Ghekiere.





