Toyota në panairin Japan Mobility Show 2025 në Tokio ka prezantuar një pajisje inovative për lëvizje – karrigen robotike “Walk Me” me katër këmbë, e cila mund të ecë, të ngjitet shkallëve dhe të paloset në përmasë të vogël në vetëm 30 sekonda.
“Walk Me” është zhvilluar për persona me lëvizshmëri të kufizuar, por në vend të dy rrotave ajo ka të integruara katër “këmbë” robotike. Çdo këmbë mund të përkulet, të ngjitet dhe të balancohet në mënyrë të pavarur, në mënyrë të ngjashme me lëvizjen e organizmave të gjalla. Këto këmbë e mundësojnë lëvizje të rrjedhshme mbi zhavorr, shkallë dhe sipërfaqe të pabarabarta, duke ruajtur stabilitetin e përdoruesit.
Për rehati maksimale, këmbët janë veshur me material të butë, ndërsa sensorë dhe LiDAR skanojnë ambientin për të zbuluar pengesa, shkallë dhe karakteristika të tjera të terrenit. Sistemi inteligjent siguron stabilitet dhe lejon ndalim të menjëhershëm në rast përplasjeje me objekt që gjendet në rrugë.
Ulësja brenda karriges “Walk Me” përshtatet sipas formës së trupit të përdoruesit, është e pajisur me mbështetës të shpinës dhe doreza anësore për komandim. Me ndihmën e dorezave mund të përcaktohet drejtimi i lëvizjes, por janë të mundshme edhe komandat zanore — për shembull duke thënë “më çoj në kuzhinë” ose “lëviz më shpejt”.
Në ulëse është i integruar edhe një kompjuter që llogarit rutën, tregon shpejtësinë, gjendjen e baterisë dhe statistikat e ecjes në një ekran të vendosur në mbështetësen e dorezës. Bateria është fshehur prapa mbështetëses së karriges dhe siguron funksionimin gjatë ditës, ndërsa karikohet përmes rrjetës elektrike. Në rast mbinxehjeje të baterisë, pajisja çaktivizohet.
Një tjetër veçori e karriges “Walk Me” është mundësia e palosjes. Me një shtypje të butonit, karriga transformohet në një valixhe, e cila mund të transportohet praktikisht në automjet ose të ruhet në shtëpi. Pas ndezjes, karriga përsëri shpaloset dhe është gati për përdorim.
Toyota pozicionon “Walk Me” si zgjidhje për kushte reale – korridore të ngushta, shkallë dhe rrugë. Aktualisht është vetëm një prototip, por projekti tregon ambicien e Toyota‑s për zhvillimin e robotikës. /Telegrafi/







