Legjenda e Real Madrid, Toni Kroos, ka shuar çdo spekulim për një rikthim të mundshëm në futbollin profesionist, duke e bërë të qartë se vendimi i tij për t’u pensionuar është i pakthyeshëm.
Gjatë paraqitjes së tij në Laureus World Sports Awards 2026, 36-vjeçari theksoi se nuk ka ndërmend të ndryshojë rrugën që ka zgjedhur, pavarësisht zërave të vazhdueshëm që e lidhin me një rikthim për të ndihmuar klubin madrilen.
Mesfushori gjerman u nderua me çmimin “Inspiration Award”, një vlerësim për një karrierë të jashtëzakonshme të mbushur me suksese madhore, përfshirë triumfin në Kupën e Botës dhe gjashtë trofe në Ligën e Kampionëve.
Që nga tërheqja e tij në vitin 2024, Kroos është përballur shpesh me pyetje rreth një rikthimi të mundshëm, sidomos në kontekstin e sfidave që po kalon aktualisht Real Madridi. Megjithatë, ai mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij.
“Nuk e kam menduar kurrë rikthimin, sepse u largova pikërisht ashtu siç doja. E mbylla atë kapitull në mënyrën më të mirë të mundshme dhe tani është tepër vonë për ta ndryshuar atë”, u shpreh Kroos.
Ai shtoi se çdo hap prapa do të rrezikonte të zbehte atë që ka ndërtuar ndër vite: “Gjithmonë kam ndjerë se nuk mund të kishte një fund më të bukur. Çdo gjë pas kësaj do të ishte një hap pas.”
Sot, Kroos është i fokusuar në projekte të reja jashtë fushës së blertë, duke e konsideruar kapitullin e futbollit të mbyllur me kënaqësi dhe pa asnjë peng.






