Togeri i Policisë së Kosovës nga radhët e nacionalitet serb, Bojan Jevtiq, përmes platformës “WhatsApp” dhe “Telegram”, akuzohet se i ka dërguar BIA-s serbe dokumente zyrtare të klasifikuara që ndërlidhen me sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës.
Kështu është bërë e ditur në aktakuzën e redaktuar të Prokurorisë Speciale të ngritur ndaj Jevtiqit, ku thuhet se veprimet e pretenduara të tij kanë cenuar rëndë sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues, raporton Kosova Press.
“Nga një periudhë kohore e pacaktuar e deri më datë 17.07.2025, respektivisht deri në momentin e arrestimit të tij, i pandehuri [e redaktuar], në cilësinë e zyrtarit policor me gradën toger dhe në detyrën e Shefit të Sektorit të Operativës në Stacionin Policor Kufitar [e redaktuar], me dashje dhe në mënyrë të vazhdueshme, ka mbledhur, siguruar dhe transmetuar informacione dhe dokumente zyrtare të klasifikuara si ‘Konfidencial’ dhe ‘Sekret’, që ndërlidhen me sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën për Bojan Jevtiqin.
Në aktakuzë po ashtu thuhet se me Jevtiqi, përveç dërgimit të mesazheve në “WhastApp” dhe “Telegram”, është takuar fizikisht disa herë në Beograd me zyrtarin e BIA-s me nofkën “Qira”.
Prokuroria Speciale po ashtu i ka propozuar gjykatës që Jevtiqit t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike në kohëzgjatje prej 5 vjetëve, vazhdimin e masës së paraburgimit, konfiskimin e një arme, parave të gatshme në vlerë prej 2 milionë dinarë, 500 franga si dhe 7 mijë e 3 euro, si pasuri e fituar me kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”.





