TI: Në Kosovë nuk hiqet dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor

Në Kosovë nuk ka gatishmëri politike për të hequr dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor, dhe ky vend duhet të punojë ende në luftim të korrupsionit.

Kështu është thënë në raportin e Indeksit për Perceptim të Korrupsionit për vitin 2023, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.

Sikurse vitin e kaluar, Kosova ka 41 pikë.

Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

Në pjesën për Kosovën, në raport është thënë se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësi të sistemit të gjyqësorit, sikurse krijimi i procesit të vettingut dhe miratimi i ligjit të ri, që do të mund të fuqizonte integritetin në Këshillin Prokurorial, janë duke lëvizur me ritëm shumë të ngadalshëm.

“Edhe më keq, ndërhyrja e vazhdueshme e Qeverisë në çështjet e gjyqësorit, e ilustruar me shkarkim të shefit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, bashkë me ndërhyrjen e deputetëve të shumicës në hetimin parlamentar për një rast të madh të korrupsionit, sugjerojnë se nuk ka vullnet politik për të hequr dorë prej kontrollit dhe për forcim të mbikëqyrjes së pavarur”, është thënë në raport.

Procesi i vettingut

Procesi i vettingut është premtuar prej Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, në programin katërvjeçar.

Megjithatë, ai ende është në fazën fillestare.

Ky proces nënkupton rivlerësim të prokurorëve dhe gjyqtarëve, rritjen e tyre profesionale, luftim të korrupsionit dhe ndaljen e ndikimit të politikëve apo elementëve tjerë në drejtësi.

Koncept-dokumentin për vettingun e ka vlerësuar edhe Komisioni i Venecias.

Sipas komisionit, vettingu efektiv, në rastin e Kosovës, kërkon kombinimin e masave të ndryshme, që do të kishin efekt pozitiv në integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë.

Si pikë e parë është rekomanduar verifikimi i nivele të larta në gjyqësor dhe në prokurori.

Amendamentet kushtetuese për vettingun në nivele të larta, janë hartuar prej një komisioni ad-hoc të Kuvendit të Kosovës, i mbështetur prej Ministrisë së Drejtësisë.

Më vonë, në mars të vitit 2023, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i pati dërguar disa ndryshime të amendamenteve në Gjykatën Kushtetuese, për të kuptuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese nuk e ka dhënë ende fjalën e saj në këtë çështje, ndonëse, sipas ligjit, ky grup duhet të japë vlerësim brenda gjashtë muajsh, pas pranimit të kërkesës.

Sipas raportit të Programit për Zhvillim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Pulsi Publik, i publikuar këtë vit, vetëm 29 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë./rel

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA