Oklahoma City Thunder vazhdon të impresionojë në play-off-et e NBA, pasi mposhti Phoenix Suns me rezultatin 131:122 dhe e mbylli serinë në mënyrë perfekte 4:0, duke siguruar një vend në gjysmëfinalet e Konferencës Perëndimore.
Lideri i skuadrës, Shai Gilgeous-Alexander, shkëlqeu me 31 pikë, ndërsa Chet Holmgren kontribuoi me një paraqitje të dyfishtë prej 24 pikësh dhe 12 ribaundesh. Thunder dominoi në aspektin ofensiv, sidomos nga distanca, duke realizuar 17 treshe nga 34 tentativa, një saktësi mbresëlënëse prej 50 për qind.
Tashmë, Oklahoma pret kundërshtarin e radhës në gjysmëfinale, që do të dalë nga dueli mes Los Angeles Lakers dhe Houston Rockets.
Në Konferencën Lindore, Detroit Pistons u mposht nga Orlando Magic me rezultatin 94:88 dhe tani ndodhet në disavantazh 3:1 në seri. Pavarësisht se e përfundoi sezonin e rregullt si skuadra më e mirë me 60 fitore, Detroit është pranë një eliminimi surprizues, një skenar i rrallë në historinë e NBA-së.
Pistons nuk kanë arritur në raundin e dytë që nga viti 2008 dhe tani janë të detyruar të luftojnë deri në fund për të mbajtur gjallë shpresat, me ndeshjen e radhës që zhvillohet në shtëpi.
Ndërkohë, në një tjetër përballje spektakolare në Perëndim, Denver Nuggets mposhti Minnesota Timberwolves me shifrat 125:113, duke ngushtuar serinë në 3:2 dhe duke rikthyer plotësisht emocionin në këtë duel.






