Përgatiti: Nora Luta
Ish-presidenti, Hashim Thaçi as në seancën e 17 dhjetorit nuk është deklaruar për akuzat e reja që rëndojnë mbi të dhe të tjerët, për pengim të drejtësisë.
Mirëpo, ai theksoi se nuk ka asnjë ambicie politike, për asnjë pozitë publike, duke e ndërlidhur aktakuzën me kohën e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Pasi kërkoi nga gjykata që të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, shtoi se aktakuza para katër vitesh iu ngrit pikërisht dy muaj para se të rizgjidhej president.
Zyra e Prokurorit të Specializuar planifikon t’i thërras tre dëshmitarë të paktën, përfshirë atë në dëshminë e së cilit e ka mbështetur aktakuzën.
Ndërkohë mbrojtja ka kërkuar qasje në prova nga ZPS-ja, të cilën e urdhëroi gjykata që t’ju ofrojë çdo provë shfajësuese.
“Do të nxjerrim informacione vetëm ato që janë të nevojshme dhe parashihen me rregulla, do të kontaktojmë më avokatë sa I përket edhe telefonave, ne kur të vijë momenti I përshtatshëm do të japim shpjegimet e nevojshme avokatëve”, tha Joshua Hafetz, prokuror.
Megjithatë avokatët kanë kundërshtuar planin e ZPS-së për fshirjen e materialeve që ky institucion i konsideron të panevojshme për procesin.
“Dokumenti 69 sa i takon provave, për Smakajn është i redaktuar, në veçanti ato që janë sekuestruar në shtëpinë e tij, mbrojtja s’mund të bëjë asgjë që të vazhdoj me përgatitjet e veta”, tha Bes Martenes, avokat i Bashkim Smakajt.
Thaçi po akuzohet së bashku me, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin për pengim të drejtësisë, duke u përmendur që vepruan në tri grupe për të ndikuar në dëshmitarë gjatë periudhës prill – nëntor 2023.
Thaçi e Smakaj nuk janë deklaruar ende lidhur me fajësinë, dhe sipas gjykatës kanë kohë deri më 7 janar të vitit të ardhshëm.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:






