Përgatiti: Donita Bytyqi
Semimaturantët që iu nënshtruan Testit të Arritshmërisë në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, thonë se patën stres, por pyetjet iu dolën më të lehta sesa pritnin.
“Kanë qenë të lehta, veç stres që kemi pasë vetë”, tha Enesa Ramadani, nxënëse.
“Testimi ka shkuar shumë mirë, edhe përveç testimit ka qenë edhe koha e mjaftueshme për 100 pyetje, edhe pyetjet për atë që kanë mësuar kanë qenë të lehta”, tha Landri Sllamniku, nxënës.
Nuk dihet nga rrodhën pyetjet, por ato u shpërndanë nëpër grupe në rrjete sociale.
Mirëpo, Arbër Gashi nga Drejtoria e Arsimit, i mohon rastet e kopjimit në kryeqytet. Sipas tij, ka pasur mjaftueshëm mbikëqyrës nëpër shkolla.
“Kemi pasur 3400 nxënës në 23 qendra testuese, 350 administrues, ka filluar në orën 10:00 dhe ka zgjatur dy orë e gjysmë. Nuk ka pasur raste të kopjimit, lëndët që janë nënshtruar janë: anglisht, gjuhë shqipe etj”, tha Gashi.
Sipas Kryesuesit të Komisionit, Mentor Hajrizi, nxënësit janë paralajmëruar se nuk do të lejohen telefonat nëpër klasa.
“Atyre u kemi treguar se përdorimi I telefonave është rreptësisht i ndaluar dhe sigurisht udhëzimet tona ata i kanë marrë parasysh dhe testi ka filluar me kohë. Nxënësit kanë vazhduar me punimet e tyre”, tha Hajrizi.
Visar Osmani, drejtori i shkollës “Emin Duraku”, thotë se është i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit.
“Në shkollën tonë janë testu 151 nxënës të 3 shkollave të kryeqytetit, administruesit kanë ardhur me kohë në vendet e tyre, sipas planifikimeve çdo gjë ka shkuar në rregull, deri tani asnjë problem nuk është raportu nga klasat”, tha Osmani.
Pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë do të mbahet më 28 qershor, që përfshin lëndët e matematikës, informatikës, kimisë, fizikës dhe biologjisë.