Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve izraelite të kryera gjatë natës në Qytetin e Gazës, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të mbeten të larta pavarësisht armëpushimit të arritur mes Izraelit dhe Hamasit muaj më parë.
Spitali Shifa – i cili funksionon vetëm pjesërisht pas dëmtimeve të mëdha të shkaktuara gjatë luftës së Izraelit kundër Hamasit – tha se viktimat u vranë në të paktën katër sulme të ndryshme.
Nuk dihet ende numri i të plagosurve, ndërsa ushtria izraelite nuk ka komentuar deri tani për sulmet.
Që nga arritja e armëpushimit mes Hamasit dhe Izraelit në tetorin e kaluar, ushtria izraelite ka vazhduar sulmet.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga ajo kohë janë vrarë 936 palestinezë. Këto shifra nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.
Gjatë së njëjtës periudhë, sipas ushtrisë izraelite, janë vrarë katër ushtarë izraelitë.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, më shumë se 72 mijë persona janë vrarë që nga fillimi i luftës, shumica prej tyre civilë.
Izraeli pretendon se merr masa të jashtëzakonshme për të shmangur viktimat civile.
Nga ana tjetër, Hamasi vrau 1,200 persona dhe mori peng 251 shtetas izraelitë dhe të huaj gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, sipas autoriteteve izraelite.





