Shira të rrëmbyeshëm kanë shkaktuar përmbytje të menjëhershme përgjatë lumit Guadalupe në Teksas të premten, duke lënë të paktën 24 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur, sipas autoriteteve vendëse.
Mes të zhdukurve janë 23 deri në 25 njerëz që rezultojnë të zhdukur nga një kamp veror i krishterë për vajza, i vendosur në brigjet e lumit Guadalupe, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Në një konferencë për shtyp të premten vonë, guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha se operacionet e kërkim-shpëtimit do të vazhdonin gjatë natës dhe të shtunën.
Duke folur për gazetarët, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha: “Do të kujdesemi për ta”, pasi u pyet për ndihmën federale për katastrofat natyrore.
Shërbimi Kombëtar i Motit i Shteteve të Bashkuara shpalli gjendje të jashtëzakonshme për përmbytje të menjëhershme për pjesë të qarkut Kerr në rajonin Hill Country të Teksasit, rreth 105 kilometra në veriperëndim të San Antonios, pasi stuhitë sollën deri në 30 centimetra shi.
Zyrtarët shtetërorë të menaxhimit të emergjencave kishin paralajmëruar qysh të enjten se Teksasi perëndimor dhe qendror do të përballej me reshje të dendura dhe rrezik për përmbytje gjatë ditëve në vijim.
Megjithatë, parashikimet “nuk parashikuan sasinë e reshjeve që pamë”, tha Ë. Nim Kidd, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave në Teksas, në një konferencë për shtyp të premten në mbrëmje.
Në të njëjtën konferencë, sherifi i qarkut Kerr, Larry Leitha, konfirmoi se 24 njerëz kishin vdekur për shkak të përmbytjeve.
Zëvendësguvernatori Dan Patrick tha të premten pasdite se autoritetet po i kërkonin 23 vajza të zhdukura nga më shumë se 750 fëmijë që ndodheshin në kampe verore përgjatë brigjeve të lumit Guadalupe, kur zona u përmbyt rreth orës 4 të mëngjesit.
Vajzat e zhdukura ishin pjesëmarrëse në Camp Mystic, një kamp veror privat i krishterë për vajza.
“Jemi duke u lutur që të gjitha të zhdukurat të gjenden të gjalla”, tha Patrick.
Autoritetet thanë se të gjithë kampistët e tjerë janë të sigurt dhe se evakuimi i tyre vazhdoi gjatë gjithë ditës.
Deri të premten në mbrëmje, ekipet e emergjencës kishin shpëtuar ose evakuuar 237 persona, përfshirë 167 me helikopter.
Me reshje të tjera të parashikuara në rajon, Patrick paralajmëroi se rreziku për përmbytje të tjera të menjëhershme vazhdon nga San Antonio deri në Vako për 24 deri në 48 orët e ardhshme.
Zyrtarët thanë gjithashtu se personel nga Rojat Bregdetare të SHBA dhe Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA) janë aktivizuar për të ndihmuar autoritetet lokale në përballimin e krizës./REL