Të paktën 21 palestinezë të vrarë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës

Të paktën 21 palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës gjatë orëve të vona të së martës dhe në orët e hershme të së mërkurës, ka raportuar The Associated Press.

Më shumë se gjysma e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë, kanë njoftuar autoritetet shëndetësore të enklavës.

Sulmet izraelite goditën një shtëpi të martën në pjesën veriperëndimore të qytetit të Gazës, duke lënë të vrarë të paktën 12 persona, sipas raportit të Spitalit Shifa, i cili i kishte pranuar trupat e viktimave.

Në mesin e të vdekurve ishin gjashtë fëmijë dhe dy gra, sipas listës së Ministrisë së Shëndetësisë.

Një tjetër sulm ka goditur një ndërtesë banimi në zonën Tal al-Hawa, në veri të Gazës, duke vrarë të paktën gjashtë persona. Mes të vdekurve ishin tre fëmijë dhe dy gra, njëra prej të cilave ishte shtatzënë. Ndërkaq, tetë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Sulmi i tretë ka goditur një tendë në lagjen Naser të qytetit të Gazës në orët e vona të së martës, ku mbetën të vrarë tre fëmijë, ka njoftuar Spitali Shifa.

Nëpërmjet një deklarate të lëshuar të mërkurën, Ushtria izraelite ka bërë të ditur se forcat e saj po veprojnë në qytetin e Gazës, si dhe në veri të Rripit të Gazës.

Pa dhënë detaje të mëtejshme, Ushtria ka deklaruar se në Jabaliya – një zonë që ka pësuar goditje të rënda në disa runde luftimesh – një sulm ajror ka vrarë “disa” militantë të Hamasit.

Sipas ushtrisë, forcat e saj kanë goditur rreth 120 objektiva në të gjithë Gazën gjatë 24 orëve të fundit, duke përfshirë celula militante, tunele dhe ndërtesa të minuara.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA