Në shoqërinë moderne, fenomeni i “ageism” (moshizmit) po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, duke ndikuar negativisht në jetën e të moshuarve.
Kjo çështje u diskutua edhe në emisionin “Libero” në ATV, ku të ftuarit ndanë mendimet e tyre se a po i diskriminon shoqëria kosovare të moshuarit, si dhe shumë çështje të tjera të ndërlidhura me këtë temë.
Sa i përket kësaj teme, se a po diskriminohen të moshuarit në Kosovë, psikologia Shqipe Vitija tha që në këtë gjeneratë dhe në këtë shoqëri tonën ekziston një “ageism” i lartë në kategorinë e të moshuarve, në shumë aspekte duke filluar nga ato në familje, shoqëri dhe institucione.
“Në këtë gjeneratë, në këtë shoqëri tonë ekziston një ageism i lartë në kategorinë e të moshuarve. Themi lirisht në shumë aspekte, duke filluar nga ato në familje, shoqëri dhe po ashtu institucione,” tha Vitija.
Ndërsa shefi i Shërbimit në Shtëpinë e të Moshuarve, Urim Seferi, nuk u pajtua me këtë mendim, që të moshuarit po diskriminohen. Ai mendon se arsyet janë për shkak të mungesës së mbrojtjeve, qofshin ato sociale apo financiare, duke thënë se të moshuarit në Kosovë nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë. Ai gjithashtu deklaroi që të moshuarit, në 10 vitet e ardhshme, do të jenë sfida e shtetit.
“Në pikëpamjen time fjalën ‘diskriminim’ nuk do ta përdorja për të moshuarit. Arsyet janë për shkak të mungesës së mbrojtjeve, qofshin mbrojtje sociale apo financiare. Në Kosovë është e vërtetë që të moshuarit nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë të mundshme ose të favorshme. Po ashtu, duke e pasur edhe eksperiencën time, të moshuarit pritet që në 10 vitet e ardhshme të jenë sfida e vet shtetit,” tha Urimi.
Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Sherif Kastrati, tha që pensioni nuk është i lehtë, është shumë i vështirë, sepse prej një njeriu që ke vlejtur, bëhesh i pavlefshëm dhe nuk mund të kontribuosh në shoqëri. Ai shtoi se edhe familja të konsideron si një njeri tjetër. Kastrati foli edhe për mungesën e fondit pensional në Kosovë, duke theksuar se pa fond nuk ka si të shpërblehesh dhe se e vetmja mundësi është miratimi i një ligji për fondin pensional.
“Pensionimi nuk është i lehtë, është shumë i vështirë nga shkaku se nga një njeri që ke vlejtë deri tash, një moment kalon në një njeri pa vlerë. Nuk mundesh me i kontribu shoqërisë… edhe familja të konsideron me tjetër sy… nuk kem fond pensional. Në momentin që s’ke fond pensional, nuk ke si të shpërblehesh. Andaj, e vetmja mundësi është që të bëhet ligji për fondin pensional,” tha Kastrati.
Antropologu Tahir Latifi theksoi se shteti pas vitit 2008 është dashur të gjejë zgjidhje për të pasur një ligj të dinjitetshëm pensional.
“Shteti jonë në asnjë rrethanë, edhe para shpalljes së pavarësisë, edhe pas shpalljes së pavarësisë, nëse s’mundet të gjejë përgjegjësinë para 2008, pas 2008 është dashtë me bo një zgjidhje, me pas një ligj të dinjitetshëm pensional,” tha Latifi.
Vlen të theksohet se qytetarët e moshuar të Kosovës kryesisht jetojnë me pensione që variojnë nga 120 deri në 318 euro në muaj. Thuhet se këto pensione janë të pamjaftueshme për një standard jetese dinjitoz dhe pasqyrojnë një qasje jo gjithëpërfshirëse për adresimin e pengesave strukturore me të cilat përballen të moshuarit.
Për të ndjekur emisionin e plotë klikoni në linkun e mëposhtëm: