Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se ka nënshkruar themelimin e grupit punues i cili do të bëj analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, si Agjencion i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Sveçla ka thënë se Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufinjve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial.
Postimi i tij i plotë:
Xhandarmëria e Republikës së Kosovës po bëhet.
Si Ministër i Punëve të Brendshme sot kam nënshkruar themelimin e grupit punues i cili do të bëj analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, si Agjencion i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufinjve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Xhandarmëria e Republikës së Kosovës do të forcojë ndjeshëm kapacitetin shtetëror për parandalim, menaxhim dhe neutralizim të kërcënimeve që cënojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit tonë.





