17.1 C
Pristina
E hënë, 17 Qershor, 2024

Sveçla: Përgëzoj Policinë për profesionalizmin në ballafaqimin me grupe kriminale në veri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është shprehur se kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Ai ka përgëzuar Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në “ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale”.

“Pas ceremonive të djeshme të betimit të Kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyret e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihen mirë dhe janë në detyrë.”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka potencuar se institucionet demokratike të Republikës së Kosovës do të jenë gjithnjë në shërbim të qytetarëve të vendit pa dallim dhe të pakompromis me sulmuesit e demokracisë, ligjit dhe qytetarisë.

“Ftoj të gjithë qytetarët tanë që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale të cilët për hir të përfitimeve kriminale personale e grupore dëshirojnë kaos dhe suspendim të shtetit të së drejtës e të demokracisë.”, ka shkruar tutje ai.

Pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar nga incidentet në veri të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, duke theksuar se një prej veturave është djegur.

Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri të vendit. Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet, të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.

Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten (25 maj). Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, përveç kryetarit të veriut të Mitrovicës.

Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kanë dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata janë larguar nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ka obliguar qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës./KosovaPress

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

Vdes meteorologu Sylë Tahirsylaj

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA