Sveçla për mungesën e uniformave në Polici: Furnizimi është iniciuar katër herë, procedurat janë zvarritur

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke iu përgjigjur kritikave të deputetëve për mungesën e uniformave në Policinë e Kosovës, ka thënë se procedurat për furnizimin me uniforma të rendit janë iniciuar katër herë, ndërsa dy prej tyre që i ka përmendur janë shoqëruar me anulime dhe ankesa, raporton Ekonomia Online.
Sveçla ka thënë se Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë siguruar vazhdimisht mbështetje financiare për Policinë e Kosovës, por ka theksuar se proceset e furnizimit dhe prokurimit janë përgjegjësi e strukturave përkatëse të Policisë.
Reklamë
Ai ka bërë të ditur se buxheti i Policisë së Kosovës është rritur nga 109 milionë euro, sa ishte në fillim të mandatit të qeverisjes së tyre, në 176 milionë euro, ndërsa vetëm gjatë pesë vjetëve të fundit janë alokuar dhe shpenzuar 732 milionë euro.
“Gjatë, mandatit tonë të qeverisjes, mbështetja për policinë e Kosovës nuk ka munguar asnjëherë. Asnjë kërkesë e adresuar nga policia e Kosovës për mbështetje nuk ka mbetur pa u trajtuar. Përkundrazi, kemi inkurajuar bashkërisht ngritjen e kapaciteteve të saj profesionale dhe operacionale. Siç e thashë edhe më herët, buxhetin e policisë së Kosovës e kemi gjetur me 109 milionë euro, e sot ai arrin në 176 milionë euro. Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, buxheti i alokuar dhe i shpenzuar për policinë e Kosovës arrin në 732 milionë euro. Është e rëndësishme, megjithatë, të bëhet një dallim i qartë i përgjegjësive: qeveria dhe ministria e punëve të brendshme sigurojnë mbështetjen financiare për policinë e Kosovës, ndërsa proceset e furnizimit dhe prokurimit zhvillohen nën përgjegjësinë e strukturave përkatëse të policisë së Kosovës. Pra, mbështetja financiare dhe institucionale për policinë e Kosovës nuk ka munguar. Por dua të jem edhe i qartë: unë nuk jam as zyrtar, as drejtor i prokurimit, as në ministri, as në polici. Në cilësinë e ministrit të punëve të brendshme, mandati im është të siguroj mbështetjen e nevojshme për të gjitha agjencitë ekzekutive, që veprojnë në kuadër të ministrisë së punëve të brendshme, përfshirë policinë e Kosovës. Këtë mbështetje e kam ofruar vazhdimisht. Nuk kam as mandat, as të drejtë ligjore për të ndërhyrë në proceset e prokurimit”, tha ai.
Duke folur për procedurat e furnizimit me uniforma të rendit, Sveçla ka thënë se, sipas raportit që ka pranuar nga Policia e Kosovës, ato janë iniciuar katër herë. Ai ka përmendur procedurën e vitit 2021, në vlerë prej 11.3 milionë eurosh, e cila ishte anuluar nga vetë Policia për shkak se ofertat e pranuara nuk i kishin plotësuar kriteret administrative.
Ndërsa, procedura e dytë e përmendur nga ministri ishte iniciuar në vitin 2023, po ashtu në vlerë prej 11.3 milionë eurosh, dhe sipas tij, ka zgjatur rreth tre vjet deri në nënshkrimin e kontratës, për shkak të gjashtë ankesave dhe vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
“Informat të policisë së Kosovës në përgjithësi, duke qenë se furnizime uniforma taktike dhe operacionale ka pasur në vazhdimësi, por po flasim për ato të rendit. Sa i përket furnizimit me uniforma të rendit, sipas raportit që kam pranuar nga policia e Kosovës, procedurat për këtë furnizim janë iniciuar 4 herë. Në vitin 2021 është iniciuar një procedurë e hapur në vlerë prej 11.3 milionë eurosh. Kjo procedurë është anuluar nga vetë policia e Kosovës, pasi ofertat e pranuara nuk i kanë plotësuar kriteret administrative. Në vitin 2023 është iniciuar një tjetër procedurë e hapur, po ashtu në vlerë prej 11.3 milionë eurosh. Kjo procedurë ka zgjatur rreth 3 vjet, nga inicimi deri te nënshkrimi i kontratës, për shkak të 6 ankesave dhe vendimeve të organit shqyrtues të prokurimit”, tha ai.
Reklamë









