Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se municioni i armëve që u gjet sot ishte në pronën e Nemanja Radivojeviq, i njohur si “Gandi”.
Teksa publikoi edhe video nga kapja e armëve në Zveçan, Sveçla ka thënë se derisa Serbia refuzon t’i dorëzojë këta persona, ata mbeten një rrezik i drejtpërdrejtë për Republikën e Kosovës.
Megjithatë thekson se institucionet e sigurisë së Kosovës janë më të forta se kurrë dhe nuk do të tolerojnë as edhe një grimë të elemente kriminale e terroriste të cenojnë Kosovën.
“Sot, në pronën e Nemanja Radivojević – i njohur si “Gandi”, janë gjetur municion, pajisje ushtarake, policore dhe veshje kamuflazhi. Ky person është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës që mori jetën e Heroit të Kombit, Rreshterit policor Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023 në Banjskë. Për aq kohë sa Serbia refuzon t’i dorëzojë këta persona, ata mbeten një rrezik i drejtpërdrejtë për Republikën tonë”, ka shkruar Sveçla.
Madje ai ka theksuar se këto pajisje armatimi janë dëshmi se ky grup kriminal i dirigjuar nga Serbia ka bërë përgatitje të gjata dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekjet për të cenuar rendin juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Pajisjet e gjetura sot janë dëshmi të qarta se ky grup kriminal, i dirigjuar nga Serbia, ka bërë përgatitje të gjata dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekjet për të cenuar rendin juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës. Por shteti ynë, institucionet tona të sigurisë, janë më të shtrira e më të forta se kurrë në këtë pjesë të vendit dhe nuk do të tolerojnë as edhe një grimcë të këtyre elementeve kriminale e terroriste të cenojnë Kosovën”, përfundon shkrimi.