Gjykata Supreme ka vendosur të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj Florent Sylejmanit, i dyshuar në skandalin milionësh në Byroën Kosovare të Sigurimeve, pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtja e tij.
Ky vendim vjen pas ankimit kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prizren dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës.
“Çështja penale ka të bëjë me disa të pandehur, përfshirë S.M., V.B. dhe të tjerë, të akuzuar për vepra penale si: keqpërdorimi i besimit, keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike, falsifikimi i dokumenteve dhe vepra të tjera penale, të kryera në bashkëkryerje dhe në forma të ndryshme të ndihmës,” thuhet në njoftim.
Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të Sylejmanit dhe ka ndryshuar aktvendimet e gjykatave të instancave të mëparshme. Ndaj të pandehurit F.S. është ndërprerë masa e paraburgimit dhe është caktuar masa e arrestit shtëpiak, e cila do të zgjasë deri më 8 prill 2026.
Në njoftim, Supremja ka theksuar se paraburgimi duhet të përdoret vetëm kur masat më të lehta nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë.
“Në këtë rast, Gjykata ka vlerësuar se nuk ekzistojnë rrethana konkrete që justifikojnë vazhdimin e paraburgimit, si rreziku i arratisjes, ndikimi në prova apo përsëritja e veprës penale,” theksohet në aktvendim.






