Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca, në emisionin COMPASS në ATV, shprehu optimizëm për rolin e ri të Kaja Kallas si shefe e diplomacisë së BE-së, duke e krahasuar atë me paraardhësin Josep Borrell.
Gjyshinca tha se e kaluara profesionale e Kallasit dhe njohja e sfidave të Evropës Juglindore mund të kontribuojnë në një qasje më të balancuar në raport me Kosovën dhe dialogun me Serbinë.
“Ajo nga e kaluara e saj personale dhe angazhimet në karrierën politike tregon që kemi të bëjmë me një lidere që njeh Evropën Lindore dhe sfidat e saj. Kjo na bën më shpresëplotë për një qasje të re në dialog, më të balancuar,” tha Gjyshinca.
Ai theksoi se qëndrimet e fundit të Kallasit për Kosovën, duke përfshirë gjuhën e përdorur për sulmet terroriste në Veri, janë më afër pritshmërive të institucioneve kosovare.
“Postimi i zonjës Kallas, ku ajo e quajti sulmin e 29 nëntorit një akt terrorist, është gjuha që ne e kemi pritur prej kohësh dhe që na jep shpresë për të ardhmen,” shtoi Gjyshinca.
Intervistën e plotë të Gazmend Gjyshincës në emisionin COMPASS në ATV, e gjeni në videon më poshtë: