Përgatiti: Benita Zeneli
Alisa Seferi, nga Kosova, është njëra nga dy të plagosurit nga të shtënat me armë zjarri në një shkollë në Finlandë.
ATV-ja mëson se 12-vjeçarja ka marrë plagë serioze në kokë dhe si pasojë e kësaj ajo është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Gazetari shqiptar në Finlandë, Mentor Dreshaj, i cili është autorizuar nga familja Seferi, të flasë për rastin, meqë prindërit janë në gjendje të rëndë emocionale, thotë për ATV-në, se shëndeti i 12-vjeçares nuk ka ndonjë përmirësim.
“U takova me prindin edhe vajza e ka gjendjen kritike edhe i ka pytë mjekët a ka pas ndonjë përmirësim edhe mjekët i kanë thanë që asnjë përmirësim nuk e ka pasë”, tha Dreshaj.
Në klasë kishte edhe nxënës të tjerë shqiptarë, por që fatmirësisht nuk ka të tjerë të plagosur.
“Kanë qenë edhe tjerë shqiptarë, nuk është e vetmja shqiptare që ka pasë. Tjerë s’ka të lënduar po të gjithë çka kanë qenë aty e kanë parë rastin. Normal që psiqikisht jonë krejt të rënduar, ani pse janë tash në shtëpi”, tha Dreshaj.
Sipas autoriteteve të rendit në Finlandë, sulmi është si pasojë e bullizmit ndaj të miturit, tashmë të dyshuar e të arrestuar.
“Policia e Finlandës ka thënë se dorasi që ka gjuajtë, sipas deklaratës ai paska pasë problem sepse kinse e kanë bullizuar në shkollë dhe për atë, e ka bo këtë veprim”, tha Dreshaj.
Për rastin ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në Stokholm, Shkëndije Geci-Sherifi.
“E pikëlluar thellë për tragjedinë në Finlandë. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për të gjithë të prekurit nga kjo ngjarje tragjike. Bashkëndiej me familjarët e të plagosurve, në mesin e të cilëve është edhe një vajzë nga Kosova. Lutem që të shërohen dhe jemi me ta në këto momente të vështira!”, ka shkruar ambasadorja e Kosovës në Stokholm, Shkendije Geci- Sherifi.
Gjithashtu, ngushëllime familjes së të ndjerit dhe shërim të shpejtë dy vajzave të plagosura u ka shprehur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në platformën X.
Sulmi me armë zjarri ndodhi të martën rreth orës 9:00, në njërën nga shkollat fillore në Vanta të Finlandës, me ç’rast një 12-vjeçar u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Sipas policisë, arma e cila u përdor ka qenë me leje dhe i takon një të afërmi të të dyshuarit, po ende nuk dihet se si ajo ka arritur të përfundojë në duart e 12-vjeçarit.