Sulmi në Ferizaj, dy pacientë ende në mjekim intensiv

Një 10 vjeçare dhe një 29 vjeçar po vazhdojnë trajtimin në mjekimin intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas sulmit me thikë dje në Ferizaj. Gjendja e tyre është stabile por jo edhe jashtë rrezikut për jetë për shkak se lëndimet janë serioze, sipas këtij institucioni.

Rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti ende nuk dihen.

Drejtori i Mjekimit Intensiv Qendror, Shaqir Uka tregon për KosovaPress se dy të plagosurit pas intervenimeve kirurgjike të kryera në Qendrën Emergjente, po vazhdojnë të trajtohen në mjekim intensiv.

Ai potencon se të dy pacientët janë të varur nga aparaturat mjekësore dhe barnat.

“Një vajzë 10 vjeçare pas intervenimit kirurgjik, për shkak të lëndimeve që ka marrë në regjionin e gjoksit është sjellur për mjekim të mëtutjeshëm në njësinë e Mjekimit Intensiv ku po vazhdon të qëndrojë edhe më tutje. Një burrë 29 vjeçar për shkak po ashtu të lëndimeve në regjionin e gjoksit është dashur t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik dhe pas intervenimit është sjellur për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor në njësinë intensive ku vazhdon të marrë trajtimin mjekësor edhe më tutje”, tha Uka.

Uka thotë se lëndimet janë serioze dhe se nuk mund të konstatohet se gjendja e tyre e përgjithshme është jashtë rrezikut për jetë.

“Fatmirësisht, pas intervenimit kirurgjik dhe pas tretmanit medikamentoz gjendja përgjithshme e të dy pacientëve paraqitet të jetë relativisht stabil, sa i përket parametrave vital, edhe pse lëndimet janë serioze. Ata vazhdojnë që qëndrojnë të monitoruar tërë kohën. Vazhdojnë të marrin trajtime mjekësor dhe vazhdojnë të jenë të kyçur për aparaturave mjekësore edhe më tutje. Përderisa janë në këtë gjendje dhe përderisa janë të varur edhe më tutje shumë nga barnat dhe aparatura, nuk mund të konstatojmë saktë se gjendja e përgjithshme e tyre është jashtë për jetë”, theksoi Uka.

Ndërkaq, drejtori i Kirurgjisë Maksilofaciale në QKUK, Alban Olluri përmes telefonit tha për KosovaPress se sot është liruar një pacient të cilin e kishim pranuar mbrëmë pas trajtimit në Qendrën Emergjente.

“Po e kemi liruar në shtëpi sepse gjendja shëndetësore e pacientit është e mirë, ka pasur plagë të cilat janë përpunuar në mjekër në qafë dhe në regjionin e kokës. Sot është liruar. Gjendja e tij ka lejuar të trajtohet në gjendje shtëpiake”, tha Olluri.

Ndërkaq, majori Muhamet Jahiri nga Policia e Kosovës në Ferizaj, tha se ende nuk dihen rrethanat që kanë çuar në sulmin që dyshohet se është kryer nga një 59 vjeçar me inicialet E.S ndaj katër personave.

“Rrethanat ende nuk dihen pa u kryer hetimi i plotë. Për momentin e kemi të arrestuar një të dyshuar, është në proces fillestar të hetimit. Lënda pasi kur të kompletohet i dërgohet prokurorit…Detajet dalin në fazën e më vonshme të hetimit. Nuk mund të dimë ende motivin pa u zbardhur në tërësi rasti si rast. Për 48 orë e ka masën e paraburgimit. Brenda 48 orëve ne do ta përgatisim lëndën dhe do ta përcjellim te prokurori i shtetit. Për momentin në fazën fillestare të hetimit nuk kemi mund të konfirmojmë se viktimat dhe i dyshimti mund të kenë lidhje familjare mes vete. Në bazë të mbiemrave, dy të rriturit nuk kanë (lidhje familjare). Të dy të miturat janë motra. Lokacionet janë të ndryshme. Lokacioni ku ka ndodhur i këtyre dy motrave është në një pjesë tjetër, diku 70 metra më larg ku ka ndodhur rasti i personit tjetër”,

Të hënën Policia në Ferizaj ka njoftuar se një burrë me inicialet E.S 59 vjeçar ka sulmuar me thikë katër persona, dy prej tyre të mitur.

I dyshuari është arrestuar sot dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.

Ndërkaq, Rrjeti i Organizatave Joqeveritare “Avonet” kanë organizuar aktivitet para ndërtesës së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj në shenjë pakënaqësie siç thonë ata për “dështimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe Policisë së Kosovës” lidhur më këtë rast.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministri i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla dhe ministri i Administrimit Lokal, Elbert Krasniqi ditën e djeshme kanë vizituar këta pacientë të cilët u sulmuan në Ferizaj. /KP

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA