Qytetarët e Mitrovicës kanë thënë se pas ngjarjeve të fundit në Banjskë të Zveçanit, dialogu me Serbinë nuk ka më kuptim, të paktën jo në formatin çfarë është zhvilluar deri tani.
Ata gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, potencuan se ndërmjetësuesit e deritashëm të dialogut, Borell dhe Lajçak, duhet të shkarkohen sepse kanë qenë të njëanshëm.
Udhëheqësit e institucioneve lokale dialogun e shohin si formë të vetme të zgjidhjes së problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa për ekspertët e sigurisë, asgjë më nuk do të jetë njëjtë sikur para 24 shtatorit, sepse do të ketë strategji tjetër të sigurisë dhe vigjilencë të paparë deri tani nga ana e institucioneve shtetërore.
Sami Zeka, qytetar nga Mitrovica, thotë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë prej fillimit ka qenë i pakuptimtë.
Sipas tij, avantura e Borellit dhe Lajçakut në këtë dialog është dashur të ndërpritet para shumë kohësh, për shkak të njëanshmërisë së tyre ndaj Serbisë.
Derisa nuk ndryshojnë forcat politike në Serbi, shtoi ai, Kosova gjithnjë duhet të ndihet e rrezikuar nga ndonjë sulm i ngjashëm prej fqinjit verior.
Nazmi Fejza, një mitrovicas tjetër, bënë të ditur se tashmë kemi një situatë të re, dhe se dialogu nuk ka më kuptim të zhvillohet sipas standardeve të deritashme.
Ai përveç ndërmjetësuesve Borell e Lajçak, konteston edhe kredibilitetin e kryetarit serb, Vuçiq në këtë dialog.
Fejza theksoi se Rusia së bashku me Serbinë po duan që kufiri mes shteteve të tyre dhe BE-së e SHBA-së, të jetë pikërisht ura e Ibrit në Mitrovicë, andaj ka bërë thirrje për vëmendje të shtuar në këtë drejtim.
Ai u shpreh i bindur se Serbia do të tentojë që në forma të ndryshme ta sulmojë sërish Kosovën.
Ndërkaq, Arian Tahiri, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, dialogun e sheh si formë të vetme të zgjidhjes së problemit mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, ngjarjet e fundit në veri të vendit, dëshmojnë më së miri politikat serbo-ruse që kanë ndaj Kosovës.
Ai tha se Serbia do të përpiqet në çdo mënyrë që të krijojë tensione dhe ta destabilizojë, sidomos veriun e Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë, ka bërë të ditur se asgjë më nuk do të jetë njëjtë sikur para 24 shtatorit, sa i përket vëmendjes së sigurisë nga ana e institucioneve shtetërore.
Ai tha se Kosova ka mësuar shumë nga kjo ngjarje, andaj do të ketë strategji tjetër dhe vigjilencë të paparë nga ana e shtetit, përballë sulmeve të mundshme në të ardhmen.
Ndryshe, Parlamenti Evropian ka diskutuar dy ditë më parë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, si dhe situatën aktuale të sigurisë në Kosovë.
Aty pati shumë kritika për politikën e BE-së ndaj Serbisë.
Disa deputetë bënë thirrje për sanksionim të Serbisë dhe hetime ndërkombëtare në mënyrë që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës të vihen para drejtësisë. Disa madje kërkuan që këtij shteti t’i ngrihen fondet derisa të kryhen hetimet. Një rezolutë e veçantë për situatën në Kosovë pritet të votohet në seancën e radhës që do të mbahet gjatë muajit tetor.