Ministria e Shëndetësisë e Kuvajtit ka njoftuar se 63 persona janë plagosur si pasojë e sulmeve që goditën vendin të mërkurën, duke shkaktuar dëme edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit.
Sipas autoriteteve, ky është një nga bilancet më të larta të të lënduarve në mesin e shteteve të Gjirit të goditura nga Irani që nga fillimi i luftimeve.
Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë të ditur se shtatë prej të plagosurve kanë pasur nevojë për ndërhyrje të rëndë kirurgjikale urgjente.
Ndërkohë, Ambasada e Indisë në Kuvajt ka konfirmuar se një shtetas indian ka humbur jetën gjatë sulmeve.
Në një deklaratë, ambasada ka bërë të ditur se është “në kontakt me familjen e të ndjerit” dhe se po bashkëpunon me autoritetet kuvajtiane për të “ofruar të gjithë mbështetjen dhe ndihmën e mundshme”.
Sulmet kanë shkaktuar dëme në Terminalin 1 të aeroportit, ka raportuar Agjencia Shtetërore e Lajmeve të Kuvajtit (KUNA), duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur SHBA-ja dhe Irani po kryejnë sulme të herëpashershme ndaj njëra-tjetrës, pavarësisht përpjekjeve të ndërmjetësve për t’i afruar palët drejt përfundimit të konfliktit.
Intensifikimi i sulmeve izraelite në Liban dhe urdhri i fundit i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të kryer sulme pranë kryeqytetit libanez, Bejrut, kanë nxitur Iranin të shpallë pezullimin e bisedimeve të hënën.
Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar po atë ditë se kishte biseduar me Netanyahun dhe se nuk do të kishte trupa izraelite në Bejrut.





