Njerëzit me nivel më të lartë inteligjence priren të jetojnë më gjatë, dhe arsyeja kryesore lidhet me trashëgiminë gjenetike. Ky është përfundimi i një studimi të publikuar në revistën shkencore International Journal of Epidemiology.
Studiuesit kanë konstatuar se inteligjenca jo vetëm që ndihmon në aftësitë mendore, por duket se luan edhe rol mbrojtës ndaj sëmundjeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetëgjatësinë e individëve. Për të arritur në këtë përfundim, janë analizuar të dhënat nga tre studime të ndryshme që përfshinin gjithsej 1,407 binjakë.
Rezultatet treguan një lidhje të qartë mes inteligjencës dhe jetëgjatësisë, veçanërisht te binjakët heterozigotë, ku ndikimi gjenetik ishte më i dukshëm krahasuar me binjakët identikë. Kjo sugjeron se faktorët gjenetikë luajnë një rol kyç në këtë marrëdhënie.
Sipas drejtueses së studimit, pjesa më e madhe e lidhjes mes inteligjencës dhe jetëgjatësisë i atribuohet gjenetikës. Ajo thekson se është e mundur që ADN-ja të ndikojë njëkohësisht si në aftësitë intelektuale, ashtu edhe në shëndetin e përgjithshëm të individit.
Studiuesit shtojnë se personat me më pak mutacione gjenetike mund të kenë më shumë gjasa të jenë më inteligjentë dhe të gëzojnë një jetë më të gjatë. Megjithatë, ata theksojnë nevojën për studime të tjera më të thelluara, për të kuptuar më saktë mekanizmat biologjikë që qëndrojnë pas kësaj lidhjeje.






