Përgatiti: Haris Ademi
E panjohur është lënë vlera monetare e burimeve për jetësimin e Strategjisë së Punësimit 2023-2027 në Kosovë.
Veç kësaj, hartuesja, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve po kritikohet se në dokument ka lënë edhe paqartësi të tjera në qëllimet katërvjeçare.
Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore thotë se strategjia përfshin analizë të mirë të gjendjes aktuale, por çalon në konkretizim të objektivave.
“Te rezultatet është i mangët sepse nuk jepen shifra, as shpenzimet…”, tha Abazi.
Abazi vlerëson se, në tërësi, strategjitë qeveritare nuk përputhen mes vete. Prandaj kanë dërguar komente me vërejtjet se në këtë të Punësimit, nuk është përfshirë fare sektori i energjisë së gjelbër.
“Nuk janë përfshirë vendet që do të hapen në këtë sektor, izolimi, instalimet e paneleve…”, tha Abazi.
Strategjia katërvjeçare e punësimit përthekohet në tri objektiva. Zhvillimin e aftësive të fuqisë punëtore, rritjen e pjesëmarrjes në treg të punës të grave, të rinjve dhe grupeve në rrezik përjashtimi dhe përmirësimi i kushteve të punës.
Deri më 2027, mëtohet të ketë sigurim të detyrueshëm për të gjithë punëtorët. Ndërsa pritet të ulet në 10% informaliteti.
Qeveria, gjithashtu, synon që paga minimale të jetë sa gjysma e pagës mesatare të po atij viti.
Tashmë ka përfunduar periudha e konsultimit publik për këtë strategji, e cila pritet të miratohet në qeveri.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: