Mungesa e klimatizimit në spitalin rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë është shndërruar në një shqetësim për pacientët.
Si rrjedhojë, ata kritikojnë drejtorinë e spitalit për mosrregullimin e kushteve elementare në spital.
“Ka mungese te klimave. Ata veç rrejnë. Veq rrejn rrejn ska sen ktu”, thotë një pacient.
“Duhet me u rregullu me punu mashum”, tha një familjar.
Përveç kushteve të dobëta, tashmë aty po hyjnë dhe po dalin edhe kafshë shtëpiake. Në pamjet e ATV-së shihet një mace që shëtitet në ambientet e brendshme të këtij institucioni.
Ndërkohë, për këtë situatë, ATV-ja ka provuar të marrë edhe një përgjigje nga drejtori i spitalit, Jeton Zarari, por ky i fundit u tregua jobashkëpunues përmes thirrjes telefonike.
“Nuk ju la me hi se masnej po vijnë televizionet e gazetat. Plot kanë ardhë po s’i kom leju. E maca keni pa, s’po di, nuk është problem”, tha Zarari.
Pas disa orë insistimi për të pasur një sqarim për këtë situatë, drejtoria e ShSKUK- së, përmes një përgjigje me shkrim, ka bërë të ditur se këshilli drejtues i spitalit do të hapë një tender për blerjen e klimave.
“Lidhur me klimat ekzistuese në Spitalin e Gjakovës, kemi kontraktuesin për riparimin e klimave, të cilët i kanë rregulluar 80% të aparateve klimatike të spitalit. Mirëpo, kanë gjetur afër 17 sosh të cilat nuk riparohen dhe duhet ndërruar. Këshilli drejtues i spitalit ka marrë vendim për hapjen e tenderit për blerjen e disa klimave të reja dhe është në procedurë”, thuhet në sqarimin nga SHSKUK.
Sipas tyre, po vazhdon mbikëqyrja e mungesave eventuale nëpër reparte të spitalit. ATV-ja ka raportuar edhe muaj më parë për kushtet jo të mira që po e shoqërojnë këtë spital. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: