Ministrja për Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se Bordi i Paqes nuk ka për qëllim të zëvendësojë organizatat ekzistuese si Organizata e Kombeve të Bashkuara, por është instrument komplementar që ofron mundësinë për Shqipërinë të kontribuojë në paqen dhe stabilizimin e situatës në Gaza.
Spiropali ka shtuar se në këtë fazë Shqipëria nuk ka detyrime financiare, por si vend anëtar themelues, do të ketë angazhime sipas statutit të organizatës.
“Shqipëria është e angazhuar të përfshihet në procesin ndërkombëtar të stabilizimit në Gaza. Ky angazhim do të prezantohet sot nga Presidenti Trump, duke shpallur listën e vendeve të angazhuara. Në këtë fazë, Shqipëria nuk ka angazhime financiare të tjera, por do të diskutojmë më vonë me partnerët tanë dhe me anëtarët e tjerë të Bordit për detyrimet tona si vend themelues. Synimi fisnik i bordit, nuk është të zëvendësojë organet e tjera siç është OKB, as është një projekt alternativ për BE që mbetet synimi ynë madhor, është një mjet komplementar ku Shqipëria mund të japë kontributin e vet”, ka thënë ajo, raportoi TCH.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është nisur këtë të mërkurë drejt Uashingtonit për të marrë pjesë në mbledhjen e parë konstituuese të Bordit të Paqes, mbledhje e thirrur nga Presidenti Trump, e cila do të zhvillohet më 19 shkurt.






