San Antonio Spurs e nisi në mënyrën më të mirë finalen e Konferencës Perëndimore në NBA, duke triumfuar 122:115 ndaj Oklahoma City Thunder në transfertë, pas një sfide dramatike që u vendos vetëm pas dy vazhdimeve. Me këtë fitore, Spurs kalojnë në epërsi 1-0 në seri dhe njëkohësisht ia marrin avantazhin e parketit skuadrës së Oklahomës.
Ylli francez Victor Wembanyama ishte i pandalshëm për mysafirët, duke realizuar një super paraqitje me 41 pikë dhe 24 kërcime. San Antonio kështu regjistroi fitoren e pestë ndaj Thunder në gjashtë përballjet sezonale mes dy ekipeve.
Ndihmë të madhe në suksesin e Spurs dha edhe Dylan Harper, i cili e mbylli takimin me 24 pikë dhe shtatë topa të vjedhur – rekord klubi në fazën “Play-Off”. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Stephon Castle me 17 pikë, Devin Vassell dhe Keldon Johnson me nga 13 secili, si dhe Julian Champagnie me 11 pikë. Spurs luajtën pa De’Aaron Fox, i cili mungoi për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës.
Në anën tjetër, Alex Caruso shkëlqeu për Oklahoma City Thunder me 31 pikë të ardhura nga banka rezervë, duke regjistruar një nga paraqitjet më të mira të karrierës së tij.
Jalen Williams u rikthye pas gjashtë ndeshjeve mungesë për shkak të lëndimit dhe kontribuoi me 26 pikë, ndërsa MVP-ja i sezonit, Shai Gilgeous-Alexander, e përfundoi sfidën me 24 pikë dhe 12 asistime, megjithëse pati një mbrëmje jo shumë efikase në gjuajtje, duke realizuar vetëm 7 nga 23 tentime nga loja.
Përballja e dytë e serisë zhvillohet të mërkurën, sërish në Oklahoma City.





