Sezoni i 80-të i NBA-së ka startuar me një spektakël të vërtetë basketbolli, duke sjellë dy përballje dramatike që i mbajtën tifozët me zemër në dorë deri në sekondat e fundit.
Në ndeshjen hapëse, kampionët në fuqi, Oklahoma City Thunder, triumfuan ndaj Houston Rockets me rezultatin e ngushtë 125:124, pas dy kohëve shtesë që ofruan një thriller të vërtetë sportiv.
Heroi i madh i mbrëmjes ishte Shai Gilgeous-Alexander, i cili fillimisht barazoi rezultatin për ta çuar ndeshjen në shtesë, e më pas vulosi fitoren me një kosh magjik në sekondat e fundit.
Ylli kanadez e mbylli ndeshjen me 35 pikë, 5 ribaunde dhe 5 asistime, duke konfirmuar edhe një herë pse është lideri i padiskutueshëm i Thunder-it.
Kontribut të jashtëzakonshëm dha edhe Chet Holmgren me 28 pikë dhe 7 kërcime, duke treguar se Oklahoma mbetet një forcë serioze që synon titullin edhe këtë sezon.
Në anën tjetër, Alperen Sengun shkëlqeu për Houston me 39 pikë, 11 kërcime dhe 7 asistime, ndërsa Kevin Durant shtoi 23 pikë e 9 kërcime, por përpjekjet e tyre nuk mjaftuan për të shmangur humbjen dramatike.
Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Golden State Warriors mposhti LA Lakers me rezultatin 119:109, në një duel ku mungoi LeBron James, i cili për herë të parë në karrierën e tij nuk luajti në hapje të sezonit.
Megjithatë, vëmendjen e mori Luka Doncic, që shpërtheu me një paraqitje spektakolare prej 43 pikësh, 12 kërcimesh dhe 9 asistimesh. Ai u bë lojtari i parë i Lakers që nga Kobe Bryant (2007) që e hap sezonin me mbi 40 pikë, duke rikthyer kujtimet e legjendës së ndjerë të basketbollit.
Austin Reaves shtoi 26 pikë e 9 asistime, por kjo nuk mjaftoi kundër një Warriors-i të përqendruar, ku Jimmy Butler shkëlqeu me 31 pikë, ndërsa Steph Curry kontribuoi me 23 pikë, duke udhëhequr kampionët e katërfishtë drejt një fillimi perfekt të sezonit.
NBA nisi ashtu siç pritej – me adrenalinë, dramë dhe spektakël – duke premtuar një sezon të paharrueshëm për të gjithë dashamirët e basketbollit.