Maqedonci: FSK-ja pritet të pajiset me raketa anti-tank Javelin këtë vit

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqeodonci ka thënë se presin që këtë vit Forca e Sigurisë së Kosovës të pajiset me një sasi të sistemit anti-tank, Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka thënë se një gjë e tillë ishte premtuar edhe vitin e kaluar, por sipas tij, vonesa ka ndodhur edhe për shkak të zhvillimeve, ku ShBA është në luftë në disa fronte, si dhe ndihma që i ka bërë Ukrainës.
Reklamë
“Janë në procesin përfundimtar të arritjes, jemi në diskutim që të kemi edhe gjatë këtij viti një sasi,normalisht që na është premtuar vitin e kaluar që ta kemi këtë vit. Nuk mund të gjykojë edhe vonesat e mundshme, duke pasur parasysh që ShBA-ja po lufton aktualisht në disa fronte të luftës. Normalisht, sepse kërkesat janë shumë të mëdha, ka pasur një mbështetje për Ukrainën në vazhdimësi, Shqipëria pas pesë viteve, i ka pranuar këtë vit dhe vendet tjera”, ka thënë ai në Tëvë1.
Maqedonci ka bërë të ditur se FSK, tashmë ka tri lloje të sistemit anti-tank.
“Ne tash kemi në inventarin e Ushtrisë së Kosovë, tri lloje të tjera të sistemeve anti-tank, një të ngjashme me Javelin, një e blerë nga Repulika e Gjermanisë, sistemi më i ri i anti-takut dhe një të blerë nga Turqia”, ka thënë Maqedonci.
Ai ka folur edhe helikopterët “Black Hawk” nga ShBA. Maqedonci tha se janë duke vazhduar me procedurat dhe se janë duke i bërë përgatitjet e nevojshme, ku ka përmendur ndërtimin e hangarëve.
Në janar të vitit 2024, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin pranuar kërkesen e Kosovës për blerjen e këtij sistemi anti-tank.










