Tirana pritet të jetë sot në qendër të vëmendjes mbarëkombëtare, teksa në orën 17:00 në Sheshin “Skënderbej” do të zhvillohet protesta për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Protesta, e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, pritet të mbledhë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare. Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka bërë të ditur se në këtë tubim do të marrin fjalën ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa nga Kosova janë nisur rreth 60 autobusë me qytetarë që do t’i bashkohen protestës.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka konfirmuar pjesëmarrjen e deputetëve të mazhorancës, ndërsa Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për 24 orë për të lehtësuar qarkullimin e protestuesve. Në anën tjetër, Partia Demokratike ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në tubim, me përjashtim të Fatmir Mediut që ka paralajmëruar pjesëmarrjen e tij.
Në mbështetje të protestës ka dalë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë. Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një reagimi në faqen zyrtare të Vetëvendosjes, ka shprehur mbështetjen për protestën dhe ka kritikuar qëndrimet e Kryeministrit Edi Rama.
Kjo protestë vjen një muaj pas asaj të mbajtur në Hagë më 14 shtator, në prag të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.