Serbët e Kosovës nuk do të mundë të udhëtojnë pa viza, pavarësisht liberalizimit.
Nëse nuk janë të pajisur me pasaporta të Kosovës, pasaportat e tyre të lëshuara nga Serbia nuk u vlejnë.
Këtë e konfirmoi edhe raportuesi i vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Thjis Reuten.
“Legjislacioni është i qartë – pasaportat që lëshohen nga autoritetet kosovare. Dhe për ata që jetojnë në Serbi, ata tashmë kanë viza. Vendimi është formuluar mjaft me kujdes. Qytetarët e Kosovës me dokumente të Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm”, tha Reuten.
Serbët që jetojnë në Kosovës vazhdimisht kanë refuzuar të pajisen me dokumente të lëshuara nga shteti i Kosovës.
Megjithatë, e mirëpresin liberalizimin e vizave.
“I kam bërë disa vjet, andaj nuk konsideroj të udhëtoj. Por për të rinjtë them se kjo ka rëndësi. Për fat të keq, kjo nuk vlen edhe për të rinjtë në veri. Them se njerëzit do të marrin pasaportën e Kosovës, por mua s’më duhet”, thotë një qytetar serb.
“Mirë që njerëzit mund të udhëtojnë. Unë tashmë kam pasaportë me të cilën mund të udhëtoj, kështu që s’më duhet ndonjë tjetër”, thotë një tjetër qytetar serb.
Por, ka edhe nga ata që ende e refuzojnë pasaportën kosovare.
Ndonëse, Serbia ka fituar liberalizimin e vizave në vitin 2009, serbët të cilët jetojnë në Kosovë, janë pajisur me një pasaportë të dorës së dytë, me të cilën u pamundësohet udhëtimi pa viza.
Për analistin Branslav Kërstiq, e gjithë kjo është rezultat i politikës së Beogradit.
Ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se është duke punuar për liberalizimin e vizave për serbët që jetojnë në Kosovë. Sipas tij, kjo po diskutohet në kuadër të procesit të dialogut. /atvlive.tv