Përgatiti: Armand Hoti
Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se muajve të fundit ka rritje të interesimit të qytetarëve serbë në komunat veriore, për t’u pajisur me pasaporta biometrike të Kosovës.
“Në komunat veriore, 6159 qytetarë janë pajisur me pasaporta biometrike. Muajve të fundit, kemi parë një rritje të theksuar të aplikimeve nga qytetarët tanë në komunat me shumicë serbe, krahasuar me vitet e fundit. Mirëpresim vullnetin e shtuar së fundmi të qytetarëve të komunitetit serb për t’u pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Përkundër këtij interesimi, Komisioni Evropian vazhdon të insistojë në propozimin që banorëve serbë që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese që operon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, t’u mundësohet lëvizja e lirë në zonën Schengen.
“Procedura është e thjeshtë, Komisioni Evropian kërkon që një kërkesë të tillë ta miratojë Parlamenti Evropian dhe më pas edhe Këshilli dhe nëse ky propozim i KE-së kalon në këto dy organe, atëherë bëhet final dhe iu mundësohet këtyre qytetarëve që janë të pajisur me pasaporta të Serbisë të udhëtojnë pa viza”, tha Arbnor Sadiku, njohës i së Drejtës Ndërkombëtare.
Profesori universitar, Basri Muja, thotë se propozimi KE-së bie ndesh me marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe është në dëm të integrimit të serbëve.
“Së pari i dëmton vetë marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ndërmjet tyre me ndihmën e BE-së. Posaçërisht e kam fjalën për marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit të vitit të kaluar, ku komplet marrëveshja është e ndërtuar mbi parimin e njohjes reciproke të sovranitetit dhe integritetit… Kjo kërkesë po bëhet në një kohë kur kemi një kërkesë masive të banorëve serbë për t’u pajisur me pasaporta”, tha Muja.
Propozimi i Komisionit Evropian kundërshtohet nga Qeveria e Kosovës. Të hënën, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi para emisarit special të BE-së, Miroslav Lajcak, se njohja, siç i quajti ai, e pasaportave ilegale, të lëshuara nga autoritetet serbe do të prodhojë ndikime negative në procesin e integrimit, si dhe në atë të dialogut.
“E theksova se shtyrja para e propozimin për njohjen e pasaportave të jashtëligjshme të lëshuara nga Serbia, ka ndikim negativ në procesin e integrimit dhe e dëmton rëndë dialogun”, ka thënë Bislimi.
Qytetarët serbë të Kosovës që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese e Serbisë, janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor, ndaj të cilëve vazhdon të aplikohet regjimi i vizave.